Një staf i zgjeruar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar me në krye dy drejtuesit kryesor të këtij institucioni po ndjekin nga afër Lojërat Mesdhetare që po zhvillohen në Algjeri.
Rezultati i arritur nga super kapionia, Luiza Gega, ku përpos medaljes së artë në garën e vrapimit 3 mijë metra me pengesa, përmirësoi edhe rekordin kombëtar dhe atë të garës, i ka bërë krenarë të gjithë.
Natyrisht, që rekomandimi nga organizatorët e aktivitetit që dyshja Ylli-Shima të jenë zyrtarët e ndarjes së medaljeve për garën e 3 000 metrave, ku në podiumin e vendit të parë ishte vetë shqiptarja e talentuar, Luiza Gega, ka qënë një vlerësim jo i vogël për delegacionin sportiv shqiptar.
Ndaj, me të drejtë, për këtë rast, zyra e shtypit e KOKSH, ndalet tek ky fakt, duke e shoqëruar edhe me dy foto aktuale nga ceremonia.
“Nder dhe krenari. Pikërisht në ditën kur Luiza Gega mori medaljen e artë, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, z. Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm Gerti Shima patën privilegjin e veçantë të ndanin çmimet e fituesve për garën e 3000 metrave me pengesa.”, citohet në njoftimin në fjalë.