Vllaznia dhe Laçi kanë barazuar 0-0 në “Loro Boriçi” për javën e 28 të Superligës. Sfida e zhvilluar pasditen e së shtunës ka parë një lojë të fortë por me pak raste reale shënimi.
Të dyja skuadrat janë mbrojtur mirë, duke pasur frikë nga humbja. Si të besuarit e Plorit dhe të Duros kanë pasur frikë nga pësimi i golit, duke qenë të kujdesshëm në prapavijë.
Veç disa veprimeve sporadike të Mazrekaj, Da Silvës apo Adilit, 90 minutëshi ishte i qetë për raste. Të dyja skuadrat nuk përfituan nga barazimi i Kukësit.
Pas këtij dueli, Laçi me 47 pikë mban vendin e dytë, ndërsa me 40 pikë Vllaznia gjendet e pesta, me pesë pikë pas Kukësit që mban vendin e zonës evropiane.
Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i rikthyer i Laçit, Shpëtim Duro.
“Skuadra në këtë rikthim, si ishte? Jam shumë i kënaqur me performancën e skuadrës në të gjitha aspektet. Rezultati ishte i pranueshëm pasi luanim me një rival direkt në Evropë. Na penalizuan dëmtimet dhë ndërrimet e detyrueshme. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për Kupë të mërkurën me Teutën.
Barazimi sot ishte me vlera, do ishte ideale fitorja, mundësia ishte. Ngarkesa e madhe psikologjike ishte, nuk kam çfarë ndryshoj. Sot pashë një skuadër ashtu siç kishim punuar këto ditë që unë jam këtu.
Vllaznia është skuadër me shumë potencial dhe i bllokuam pikat e tyre të forta. Djemtë tanë vrapuan shumë. Barazimi na rri mirë.
Rikthimi pas “dhënies së duarve” ? Nuk është një zbutje. Unë kam thënë që mbaruam atë rezultat historik, luftuam për kampion. Ishin disa probleme që ne prishëm marrëveshjen. Duke pasur parasysh që është skuadra e ndërtuar prej meje në verë, për këtë jam këtu dhe i rikthyer. Për mua është pozitive. Tregon vlerësim për drejtuesit, që kaluan disa situata me trajnerët dhe besuan te mua. Të përqëndrohemi dhe të marrim maksimumin.
Kupa dhe dëmtimet (Mazrekaj, Malota) – Mund të sakrifikonim , por me fitoren e Vllaznisë sot do ishte komplikuar. I kemi lojtarë të rëndësishëm të dëmtuarit, të shohim nesër si do jenë.
Afrimi i Partizanit – Ka fituar Partizani sot?! Unë gëzohem për fitoren e tyre”, tha Duro.