Avokatja me origjinë shqiptare Eva Buzo, ka përfunduar me sukses sfidën e saj duke notuar për 35 orë e 17 minuta nga Italia në Shqipëri. Buzo ka përshkuar me not 92 kilometra nga brigjet e Leçes deri në Gadishullin e Karaburunit.
Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë e konsumuar ushqime të lehta, ndërsa udhëtimin ka qenë konstant. Buzo nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes, ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa.
Gjendja shëndetësore e Eva Buzos është e mirë, por ka nevojë për rikuperim. Sa i takon notares do ketë edhe një organizim nga Bashkia për pritjen e saj megjithatë i është lënë pak kohë për rikuperim të fuqive.
Kujtojmë se një vit më parë, Buzo e ndërpreu sfidën për të notuar nga brigjet italiane në ato shqiptare për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore.
Avokatja u nis nga Otranto, Itali për të mbërritur me not në Vlorë, por pas rreth 27 orësh në det u detyrua të ndërpriste sfidën. Ajo u dërgua në spital, ku mori shërbimin e duhur mjekësor.