Pedro Augustos është heroi i ndeshjes së luajtur sot pasdite në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, teksa skuadra vendase mundi me rezultatin 2 me 1 Kastriotin e Krujës. Kanë qënë dy gola të tij për llogari të vendasve, i pari me penallti në minutën e 24-tërt dhe i dyti në minutën e dytë shtesë, atëhere kur rezultati ishte i barabartë, 1 me 1 duke i dhënë kështu fitoren skuadrës së drejtuar nga Gugash Magani.
Egnatia ka arritur kështu të marrë fitoren e parë në këtë sezon, pikërisht në javën e katërt të Superligës. Një sfidë me shumë emocione, që dhuroi gjithçka gjatë një 90 minutëshi. Të besuarit e trajnerit Magani arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 25-të të takimit me anë të Pedro Augusto nga pika e 11-metërshit.
Ishte Çyrbja që e fitoi 11-metërshin pas ndërhyrjes së gabuar të mbrojtësit të krutanëve Rami dhe sulmuesi brazilian nuk ka gabuar nga pika e bardhë duke bërë që në stadiumin e Rrogozhinës të shpërthejë festa. Krutanët reagojnë me Bashën dhe Ramin, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.
Pjesa e dytë nis malore për krutanët, të cilët vetëm pas gjashtë minutash lojë humbasin shërbimin e Kodrës, i aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, që ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Gjithsesi, të besuarit e Ndreut arrijnë të vendosin barazpeshën, pavarësisht inferioritetit numerik. Në minutën e 59-të të takimit, një gabim i portierit të rrogozhinasve, Puja i ka dhënë mundësinë sulmuesit Ajazi të shënojë, 1-1.
Ndërkohë, në minutën e 77-të barazpesha vendoset edhe në numrin e lojtarëve në fushën e lojës, Telushi merr kartonin e dytë të verdhë. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, vjen goli i fitores për rrogozhinasit. Pas një harkimi nga këndi, Pedro Augusto devijon me shumë fat, duke sigluar 2-1 për Egnatian.
Një fitore me shumë vlerë për skuadrën e Egnatias, përballë një kundërshtari direkt, ngjitet në kuotën e katër pikëve. Situatë e vështirë për Kastriotin, që pas katër javësh gjendet në vendin e fundit me një pikë.