Egnatia është rikthyer te fitorja në kampionat, duke mposhtur në shtëpi Bylis me rezultatin bindës 3-0, në një ndeshje që mori kthesë tërësisht në pjesën e dytë.
Pas një fraksioni të parë loje pa shumë ritëm dhe me pak raste të rrezikshme, gjithçka ndryshoi pas pjesës së parë. Vendimtare ishte hyrja në fushë e sulmuesit Daniel Adjesa, i cili i dha një dimension tjetër lojës së rrogozhinasve.
Adjesa zhbllokoi rezultatin në minutën e 69-të, duke i dhënë avantazhin Egnatias dhe duke ndezur ndeshjen. Më pas, vendasit u përqendruan më shumë në mbrojtje dhe kundërsulm, strategji që rezultoi mjaft efektive.
Në minutat e fundit, ishte sërish Adjesa protagonisti kryesor, duke realizuar edhe dy gola të tjerë dhe kompletuar tripletën personale, për të vulosur një fitore të rëndësishme 3-0. Sulmuesi i afruar në merkaton e janarit u shfaq vendimtar, duke i dhënë ekipit të tij tre pikë me shumë vlerë në garën e kampionatit.


