Egnatia-Vllaznia 3-0 (Shënues: Ndreca 23’, Paulaskas 31’, Isgandarli 41’)
Fitorja e javës së kaluar në Durrës ndaj Teutës vendase, u duk se dha sinjalet e një ndryshimi për mirë në kampin kuqeblu. Ishte kjo arsyeja që deklaratat e dala nga Vllaznia në pragndeshjen me Egnatian, linin të shpresohej një rezultat pozitiv nga skuadra shkodrane.
Madje, optimizmi shkonte deri aty sa, përpos barazimit, pretendonin se mund të ktheheshin në Shkodër edhe me një fitore tre pikëshe. Por, nuk ndodhi, as njëra dhe as tjetra, sepse sfida e sotme e luajtur në “Demrozi Stadium” të Rrogozhinës, regjistroi një rezultat të thellë në favor të Egnatias.
Megjithatë, për hir të së vertetës duhet thënë se Vllaznia e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke qënë përreth 20 minutave lojë ajo iniciatore e sulmeve në portën rrogozhinase. Madje, falë rasteve të krijuara, kuqeblutë edhe mund të shënonin dhe të ishin ato në avantazh.
Por, minuta e 23-të do të ishte fatale për Vllazninë. Një rreshtim jo i mirë në repartin e prapavijës, bën që pas një krosi të dhënë nga e djathta e sulmit vendas, është Edison Ndreca që me një top të goditur fluturimthi me të majtën e tij, e dërgon në rrjetën e portjerit Qarri.
Vllaznia kërkon të reagojë, nuk vonën dhe vjen ndëshkimi tjetër për të. Këtë radhë me anë të Paulaskas, i cili tetë minuta nga rrjeta e Ndrecës shënon golin e dytë. 2 me 0 për Egnatian në pak minuta lojë bëjnë që Vllaznia të përfshihet në një gjendje ankthi, ndërkohë që rrogozhinasit e drejtuar nga Edlir Tetova tundin për herë të tretë rrjetën e Qarrit në minutën e 41-të.
Me avantazhin 3 me 0 për vendasit mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që pas pushimit, tekniku Qatip Osmani ka dhbënë orientimet e duhura duke shtuar forcat sulmuese, dhe në këtë mënyrë e gjithë loja sportohet në zonën e Egnatias, e cila nga ana e saj është tërhequr për të ruajtur dhe administruar avantazhin e krijuar prej tre golash.
Kapiteni Balaj dhe kolegët e tij kuqeblu ushtrojnë presion në portën vendase, por rasteve të shumta të krijaura nga Vllaznia, i thotë “jo” një shkodran si Alen Sherri që mbron me dinjitet portën rrogozhinase nuk lejon që rrjeta e tij të preket.
Jo vetëm Sherri, por edhe dy ish kuqeblu të tjerë, kongtribuojnë në fitoren e merituar të Egnatias me rezultatin 3 me 0, duke konfirmuar kështu mbajtjen e vetme të kreut të tabelës së klasifikimit. Ndërkohë, për Vllazninë, duket se problemet akoma nuk janë larguar, pasi ndeshja e sotme, sidomos në repartin e mbrojtjes, i cili shfaqi dobësi jo të pakta, tregon se i duhet shumë punë për të dalë nga kriza ku është përfshirë .