Egnation kalon finalen e parë, mbijetesa më e luftuar se kurrë

Dy muaj pritje, por Egnatias i mjafton vetëm një fitore, për të lënë zonën e mbijetesës të paktën për këtë javë. Suksesi në shtëpi ndaj Skënderbeut, përballë një kundërshtari direkt, ishte mëse i merituar dhe tani rrogozhinasit shohin dritë në fund të tunelit dhe pse asgjë nuk ka përfunduar. E konsideruar si finalja e parë në zonën e mbijetesës, Egnatia mori pikët e plota duke parakaluar në renditje jo vetëm Skënderbeun, por edhe Dinamon dhe tani pozicionohet në vendin e shtatë me 19-të pikë.

Shumë pak diferenca dhe tani mbijetesa merr tjetër nuancë, pasi suksesi i skuadrës së Ramadanit, jo vetëm ndryshon kursin e rrogozhinasve, por tani ndryshon totalisht panoramën në fundin e tabelës. Një sezon me shumë luhatje dhe vështirësi, ambientimi dhe përshtatja në një habitat deri diku të panjohur për rrogozhinasit, të cilët pas 16 vitesh u rikthyen në elitën e futbollit shqiptar, tani po provon të shpëtojë sezonin, për të evituar rënien dhe rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë e Parë. Fitorja përballë korçarëve ishte një tregues i dëshirës për të shpëtuar këtë sezon. 

Në një fazë të tillë është e vështirë për të bërë parashikime apo për të veçuar një skuadër në zonën e mbijetesës, pasi diferencat janë shumë të vogla, ndërsa javën e ardhshme, në Rrogozhinë do të zbarkojë Kastrioti, që ka pasur një rritje në këtë fillim viti dhe Egnatia do të kërkojë përsëri maksimumin, për të shfrytëzuar edhe faktorin fushë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu