Prononcimi i trajnerit të Tiranës, Gugash Magani, pas ndeshjes, Tirana-Teuta, 0-0
“Sot në fakt, duke pasur parasysh që rezultatet e fundit nuk i kemi pozitive, se për shkak të pozicionit në renditje që nuk është fare i mirë, u futëm për të marrë tre pikët. Rrezikuam me vendosjen në fillim, bëmë skuadër mese ofensive. Por e nisëm keq lojën, në minutat e parë nuk patëm kontroll e stabilitet, ndryshuam diçka në vende. Pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë për ne, ishte e balancuar. Bëmë ndërrimet që pamë të arsyeshme. Pjesa e dytë ishte me temp nga të dy skuadrat, skuadra jonë përveç shënimit të golit, ka bërë gjithçka shumë mirë. Përgëzoj çunat për kontributin, dua të veçoj edhe portierin kundërshtar që ishte në një ditë të mirë sot.
Jonuzi i ka bërë ndeshjet të gjitha 100%. Ai ishte i lodhur dhe ka pasur një problem në fakt, ka qenë lodhja se e kam pasur lojtar kryesor sa kam drejtuar unë.
Në shumicën e rasteve në pjesën e parë, patëm probleme në mesfushë se luanim me dy lojtarë, Dembele që nuk është në pozicion natyral se kemi mungesë në mesfushë, si dhe Soler që në shumicën e rasteve luan edhe si 8. Nuk pat koordinim të mirë mes tyre. Bajroviç nuk u përshtat si sulmues i dytë. Dua të them edhe për Abah, i cili ka bërë një ndeshje shumë të mirë me Skënderbeun, nuk ishte në ditën e tij më të mirë. U munduam të bënim ndërrimet dhe në pjesën e dytë ishte e kontrolluar nga ne edhe në aspektin taktik.
Haxhiu është lojtar që ka pikë më të fortë pjesën sulmuese se sa mbrojtëse. E vendosëm mbrojtës të djathtë me qëllim të kishte një farë koordinimi që të dilte përpara në superioritet numerik me mbipozicion. Mendoj se nuk u përshtat dhe bëmë ndërrimet. Kaluam Abelin nga e majta, se është lojtar që luan nga të dy krahët. Nga e majta po sulmonte kundërshtari dhe nuk ishte lexim i mirë i yni. Nuk kalova në aventurë, kam dërguar lojtarët që kanë luajtur në ato pozicione. Por ka momente që ky është rrezikim. Ndaj menduam për ndryshime në pjesën e dytë që funksionoi mirë. Bëmë gjithçka sot, mungoi vetëm goli”, tha Magani për RTSH pas ndeshjes.