KF Shiroka, shumë shpejt me Aksioner Amerikan. Përformanca e shkëlqyer gjatë fazës së parë të Kategorisë së Dytë, ka bindur amerikanët të futen në biseëdime me presidentin Ergi Axhani për blerjen e aksioneve të klubit shirokas
Bëhet fjalë për një aksioner amerikan, i cili është shumë pranë finalizimit të blerjes së aksioneve të Klubit të Futbollit Shiroka, duke hapur një kapitull të ri për të ardhmen e skuadrës shkodrane.
Burime pranë klubit shirokas bëjnë me dije se negociatat mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe marrëveshja pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.
Investitori amerikan me origjine nga Mali i Zi ka shprehur interes serioz për zhvillimin afatgjatë të klubit, duke përfshirë rritjen e buxhetit, përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe investimin në akademinë e të rinjve.
Sipas të njëjtave burime, blerja e aksioneve synon jo vetëm stabilitet financiar, por edhe rritjen e konkurrueshmërisë së Shirokës në kampionatet kombëtare. Drejtuesit aktualë të klubit e kanë vlerësuar pozitivisht këtë interes, duke e konsideruar si një mundësi të artë për profesionalizimin e mëtejshëm të strukturave të klubit.
Nëse marrëveshja përmbyllet me sukses, Shiroka do të jetë një nga klubet e rralla shqiptare me kapital amerikan, një zhvillim që mund të ndikojë ndjeshëm në imazhin dhe ambiciet sportive të skuadrës në vitet e ardhshme.
Gaspër MARKU


