Wednesday, October 30, 2024

EKSKLUZIVE/ Krisje te Vllaznia, Tefik Osmani drejt largimit. Zbulohen prapaskenat e orëve të fundit

Lexo

Lëvizje e papritur te Vllaznia. Nga burime të “Panorama Sport” mësohet se drejtori sportiv i kësaj skuadre, Tefik Osmani, është shumë pranë largimit.

Gjatë këtyre ditëve pritet të mësohen më shumë detaje, apo edhe zyrtarizimi i largimit të Osmanit nga klubi kuqeblu, të cilit ai iu bashkua nëntorin e vitit të kaluar. Do të ishte një lëvizje e befasishme kjo në këtë moment, kur skuadra është në përgatitjet finale për sezonin e ri. Arsyeja që ka sjellë këtë situatë nuk është ende e qartë, por burimet e gazetës bëjnë me dije se shkak është bërë mosaktivizimi i një lojtari në ndeshjen e fundit miqësore që Vllaznia luajti me Burrelin në “Loro Boriçi”.

Dhe nëse vërtet kjo është arsyeja, do të ishte vërtet absurde. Nuk dihet, nëse kjo situatë prek edhe trajnerin Tomas Brdariç, apo jo. Ndoshta te klubi shkodran mund të ketë pasur ndonjë pakënaqësi pas humbjes 0-4 në shtëpi me Valurin në Ligën e Konferencës, që solli edhe eliminimin e skuadrës nga kompeticionet europiane, por largimi i drejtorit sportiv nuk duket se ka të bëjë direkt me këtë çështje. Largimi i Tefik Osmanit, gjithmonë nëse do të konfirmohet dhe zyrtarizohet nga drejtuesit e klubit, do të lironte një vend drejtuesi në stafin e kuqebluve tri javë para startit të sezonit.

ECURIA – Osmani e mori detyrën e drejtorit sportiv të Vllaznisë në nëntor të 2023- shit dhe bashkë me trajnerin e atëhershëm, Qatip Osmanin, e ndryshuan situatën në skuadër. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Elvis Plorin. Shkodranët bënë një kampionat mjaft pozitiv, duke shkuar në “Final 4”, ku u eliminuan në gjysmëfinale me një barazim nga Egnatia, skuadra që u shpall kampione e vendit në fund. Drejtori sportiv bëri merkaton e Vllaznisë para impenjimeve europiane, duke afruar lojtarë si Kahrimanoviç, Deliu, Qato dhe Bajrami, ndërsa tani mund të vijë largimi i papritur ende pa nisur sezoni dhe pa mbushur një vit te shkodranët, ku më parë ka luajtur edhe si futbollist.

Pritet reagimi i klubit kuqeblu për të mësuar më shumë në lidhje me këtë situatë, që vjen si një rrufe në qiell të hapur. Ish-futbollisti korçar ka mbajtur më parë të njëjtën detyrë edhe te klubi i Tiranës, ku pati sukses. Emri i Tefik Osmanit është lakuar kohët e fundit edhe për një zbarkim të mundshëm te Partizani, por tashmë koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë konkretisht.

FATJON RUPI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img