Mjeshtri i madh”, Hysen Zmijani, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, i quan tërësisht të pakuptimta oshilacionet që Vllaznia shfaq nga ndeshja në ndeshje.
Sipas tij, ndryshimet nga njëra ndeshje te tjetra, e bërë kjo në një hark kohor shumë të shkurtër, tregojnë qartë se tek ekipi shkodran gjërat nuk shkojnë siç duhet. Ai mbetet i mendimit që Vllaznia është një ndër ekipet me përbërjen më të mirë, madje ish-mbrojtësi vlerëson skuadrën shkodrane më shumë sesa Partizanin, që udhëheq edhe kampionatin. Zmijani gjithashtu flet edhe për punën që po bën sulmuesi Bekim Balaj, por mungesën e golit ai nuk e shikon vetëm te loja e sulmuesit.
Mungesa e golit mesa duket po e acaron edhe vetë Balajn?
Po, e pashë që kishte pakënaqësi në momentin e ndërrimit, por ai është profesionist dhe duhet ta kuptojmë se është ky trajner që beson te Balaj dhe është ky që e mendon edhe atë lëvizje. Pra, nuk ka pse të nxehet në këtë drejtim.
Në fundjavë përballë Partizanit, si e shikoni këtë përballje?
Mund të them se Vllaznia luan më mirë ndaj këtyre skuadrave sesa ndaj atyre që janë më poshtë saj në tabelën e klasifikimit. Por unë do të thoja që Vllaznia pavarësisht se është në atë pozicion dhe Partizani është në vendin e parë, qëndron shumë më lart sesa kjo skuadër. Madje unë do të thoja pavarësisht asaj fitoreje që mori në derbi ndaj Tiranës, Partizani nuk e ka atë ekip që pati para largimit të atyre lojtarëve jashtë. Nëse themi për Vllazninë që ka oshilacione, për Partizanin mund të them se ka një rënie të theksuar. Unë nuk e shikoj Partizanin si një skuadër të frikshme.