Friday, November 22, 2024

Ermir Lenjani mbyllë karrieren me kombëtaren e Shqipërisë-10 vite kuqezi, 10 vite krenari, realizimi i ëndrrës së fëmijërisë!

Lexo

Ermir Lenjani është tërhequr nga Kombëtarja shqiptare. Mbrojtësi kuqezi ka bërë të ditur vendimin me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se për të ka qenë gjithmonë nder e krenari të vesh fanellën kuqezi, ndërsa shton se është rrugëtimi më i veçantë në jetën e tij.

“10 VITE KUQEZI, 10 VITE KRENARI & REALIZIM I ËNDRRËS SË FËMIJËRISË

Të dashur miq,

Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim.

Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian.

Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës, fitorja historike në “Francë 2016” ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me Kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në “Euro 2024”.

I jam falënderues Zotit, familjes time dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Xhani De Biasi, Christian Panuçi, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Júnior, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë.

Gjithashtu, dua të falënderoj stafin teknik të Kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës time.

Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e Kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe në Europë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah Kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi.

Faleminderit nga zemra shqiptarë. Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!” – shkruan Ermir Lenjani.

Gjatë rrugëtimit 10 vjeçar me Kombëtaren shqiptare, Lenjani numëron 45 ndeshje dhe pesë gola. Ai debutoi me Shqipërinë në një ndeshje miqësore ndaj Bjellorusisë dhe që nga ai moment u kthye në një lojtar kyç për trajnerin Xhani De Biasi. Mbrojtësi kuqezi dha një kontribut të madh në kualifikimin e parë dhe historik të Kombëtares shqiptare në një Kampionat Europian dhe ishte pjesë e kuqezinjve në “Francë 2016”.

Federata Shqiptare e Futbollit e falënderon dhe i shpreh mirënjohjen Ermir Lenjanit për kontributin e dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi në gjithë këto vite, i cili ka qenë pjesë e rezultateve dhe arritjeve historike të Kombëtares shqiptare.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img