Pas ndeshjes, Vllaznia-Tirana, e vlefshme për Superligën e bashketbollit, e cila pas kohës shtesë u mbyll me fitoren e bardhebluve me një pikë diferencë, 82-83, nga kampi kuqeblu kishte ankesa të shumta në lidhje me gjykimin e ndeshjes, një pjesë e të cilave i përcolli për median trajneri i Vllaznisë, Eni Llazani.
Ndërkohë, në institucionin e FSHB-së, nuk janë pritur mirë reagimet e kampit kuqeblu, gjë të cilën e shprehin përmes një postimi zyrtar në faqen e tyre të institucionit të tyre.
“Dita e djeshme dhuroi spektakël dhe rivalitet në dy ndeshjet kryesore të superligës të cilat e përcaktuan fituesin e tyre vetëm pas kohës shtesë.Si pas çdo ndeshje të këtij niveli,jemi mësuar të dëgjojmë humbësin duke sulmuar arbitrat dhe duke gjetur fajin pikërisht aty ku nuk është.Trajneri i Vllaznisë,në vend që të dizinformojë opinionin publik duke thënë të pavërteta që lehtësisht janë të verifikueshme,bën mirë të kthejë sytë nga puna e skuadrës së tij e cila e kishte në dorë ta fitonte takimin.Në deklaratën e tij ai pretendon për disfavor të theksuar në numrin e faullave të dhënë gjatë ndeshjes,37 për Vllazninë me 19 për Tiranën.Po ju vemë në dispozicion statistikat e mbajtura nga tavolina e Vllaznisë ku del se numri ka qenë 20 faulla për Vllazninë dhe 19 për Tiranën.Ekuilibër i plotë megjithëse kemi theksuar gjithmonë që puna jonë është gjykimi jo matematika.
A kanë gabuar arbitrat gjatë lojës?Patjetër që po,qënie humane të gabueshme si të gjithë.Ne jemi duke u përpjekur të rrisim nivelin e arbitrave sikundër ju përpiquni të rrisni nivelin e përgjegjshmërisë në deklaratat tuaj.”, shkruhet në postin e FSHB-së.