Thursday, January 2, 2025

FIFA bllokon merkaton e Vllaznisë deri në 2026-tën. Deri në shlyerjen e detyrimeve ankimore, asnjë zyrtarizim i kuqebluve nuk vlen, përfshirë edhe Repajn që është konfirmuar

Lexo

Merkatoja e Vllaznisë figuron e bllokuar nga FIFA. Ky është vendimi i fundit i organit më të madh botëror të futbollit. Në një kontroll të lehtë në vendimet e bllokimeve figuron se kuqeblutë janë pezulluar të regjistrojnë lojtarë në tre sesionet e radhës, që janë merkatoja e janarit 2025, ajo e verës 2025 dhe e dimrit 2026. Nuk dihen lojtarët apo punonjësit që kanë ngritur ankimimin, por duhet shtuar se në rast të shlyerjes së detyrimeve, gjithçka mund t’i kthehet normalitetit. Vendimi i publikuar është i datës 26 dhjetor, teksa shkodranët kanë gjithë kohën e nevojshme për të rregulluar këtë problem, që për hir të së vërtetës nuk dihet sesa i madh është. Mbetet të shihet sesa është shuma që kuqeblutë duhet të paguajnë kundrejt palës tjetër.

AFRIMET – Pavarësisht se merkatoja është bllokuar, Vllaznia vijon të punojë në përforcimin e skuadrës me elemente të rinj. Ditën e shtunë klubi kuqeblu ka zyrtarizuar afrimin e ish-mesfushorit të Apolonisë, Serjan Repaj. Ai ka pozuar me fanellën kuqeblu në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët problemin më të madh e kanë pasur në mbrojtje, ku kanë pësuar shumë gola.

Lëvizja e fundit për tu përmirësuar është ardhja e 24- vjeçarit. Një tjetër futbollist pritet të jetë afrimi i radhës te shkodranët. Fjala është për Alfred Mensah, sulmuesin që “Panorama Sport” e paralajmëroi para pak ditësh se është afër ekipit kuqeblu. Dhe duket se tashmë gjithçka ka marrë formë dhe do të zyrtarizohet në orët e ardhshme. Për Mensah ky do jetë një rikthim në kampionatin shqiptar pasi ganezi aktualisht është pjesë e Ballkanit në Kosovë.

Në Suharekë minutat i ka pasur me “pikatore”, duke luajtur vetëm 54 minuta në 6 ndeshje, ku sulmuesi ka ardhur gjithmonë nga stoli dhe asnjëherë nuk është prezantuar si titullar për ekipin nga Suhareka. Në Superiore 25-vjeçari ka kaluar 5 sezone mes skuadrave të Skënderbeut fillimisht, e më pas te Partizani. Me të kuqtë gjithashtu ka shijuar edhe titullin kampion në sezonin 2022-2023. Në elitën e futbollit tonë gjatë 5 sezoneve të aktivizimit të tij, Mensah ka arritur ta gjejë rrjetën 24 herë. Te kuqeblutë ai shihet si një mbështetës i rëndësishëm për Balajn, qoftë për tu alternuar ndonjëherë me shkodranin apo edhe të jetë një rezervë ideale për të.

BLLOKIMET – Për tu kthyer te bllokimet, mësohet se FIFA ka ndaluar për të regjistruar lojtarë edhe Burrelin dhe Erzenin. Këta të fundit po kalojnë probleme të mëdha në këtë sezon dhe renditen në fund të renditjes. Bllokimi i merkatos është një tjetër goditje për shijakasit. Sakaq, Burreli renditet i katërti, por bllokimi i merkatos mund ta pengojë jo pak. As në këtë rast nuk dihen lojtarët që kanë ngritur ankesë, por fakti është që ata kanë fituar çështjet dhe presin të shlyhen.

Endri ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img