Krutanët fitojnë me një gol të vetëm të Ajazit në stadiumin e Kamzës ndaj rrogozhinasve
Takimi i parë që është luajtur të dielën pasdreke dhe që ka ngritur siparin e javës së 13-të të Kategorisë Superiore ka qenë ai që u luajt në Stadiumin e Kamzës, midis Kastriotit dhe Egnatias. Dhe, sikundër pritej, kjo përballje midis dy skuadrave që mbyllin fundin renditjes ka qenë e vakët në pjesën e parë, edhe për shkak të terrenit të rënduar të fushës. Për këtë arsye, janë dashur 14’ që të regjistrohej rasti i pari dhe është Kastrioti pranë golit, kur Bedri Greca devijon me kokë pas një harkimi në zonë nga goditja e dënimit, por topi përfundon jashtë kuadratit.
Në vijim, ndeshja do të luftohet kryesisht në mesfushë, me të dyja skuadrat më të interesuara të prishin lojën e njëra-tjetrës sesa të ndërtojnë aksione të mirëfillta sulmuese. Për rrjedhojë, gjysmëora e mbetur e lojës nuk do të sjellë asgjë për të shënuar, përveç dy kartonëve të verdhë për lojtarët e Egnatias, dhe pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Ajo e dyta ka vazhduar në të njëjtën mënyrë, por deri në minutën e 62-të, kur Spartak Ajazi kalon në epërs skuadrën krutane pas një harkimi nga goditja e dënimit dhe sulmuesi ka shënuar në mënyrë perfekte me kokë.
Kastrioti ka marrë zemër dhe, vetëm 9 minuta më pas, krutanët janë pranë golit të dytë, teksa pas një zbritje të shpejtë Arbër Basha ka goditur, por topi ka përfunduar ngjitur me shtyllën. Detyra e Egnatias do të vështirësohet 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Allmuça ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje tepër të rrezikshëm në dëm të lojtarit krutan dhe gjyqtari kryesor, Juxhin Xhaja, e ndëshkon me të dytin të verdhë duke i lënë rrogozhinasit me një lojtar më pak. Kastrioti e mbron fitoren, por mbetet në vendin e fundit të renditjes, aty zona e ftohtë e rënies nga Kategoria po bëhet gjithnjë e më e akullt.