Prononcimi i trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, pas ndeshjes, Dinamo-Egnatia 1-2
“Ndjehem pak më mirë, të paktën kështu shpresoj. Sigurisht ditët janë të gjata kur je në pozita të tilla, por mendoj që me hapa të vegjël, pa u nxituar, mendoj se çdo gjë do shkojë drejt normalizimit. Desha të përshëndes të gjithë kolegët, presidentët e klubeve pa përjashtim, presidentin e FSHF që më kanë qëndruar pranë me një mesazh në ato ditë pak të vështira.
Mendoj se është vetëm ndeshja e dytë me Dinamon, sigurisht kishim një qasje tjetër sot. Përdorëm një manovër duke parë ndeshjen e kaluar që na erdhi një kundër një, sidomos në daljet e topit. Siç e patë edhe ju, lamë vetëm dy qendërmbrojtës dhe krijuam hapësirë 25 metra mes tyre dhe pjesës tjetër të ekipit dhe mendoj që e punuam mirë. Shpresojmë që në vazhdim të kemi akoma rrugëdalje të kësaj skeme, se hyn te ajo që unë dua të përdor me ekipin. Por sa i përket lojës, nuk është se 100% e merituam këtë fitore. Sigurisht kishim probleme në anën e markimit ku Dinamo na ushtroi presion dhe na ngjesh në gjysmëfushë, që nuk është normale për ekipin tim. Por i duhen dhënë merita kundërshtarit. Me fragmente kemi marrë situatën në dorë por jo gjithmonë që ishim konkret në lëvizjen e topit. Po themi që kemi qenë pak me fat.
Në pjesën e parë, pjesa e mbrojtjes vonoi në momentin e markimit, nga pjesa lart vijnë vështirësitë e pjesës poshtë. E kishim zgjidhur ashtu për t’i dhënë këto 30 metra Dinamos, për të qenë të befasishëm në tranzicion siç ndodhi. Në pjesën e dytë ndërruam Grudën me Selmanin për të krijuar thellësi te mbrojtësi i majtë i Dinamos, që e arritëm, dolëm para portierit por nuk u shfrytëzua nga Gruda. Pastaj është ajo që Dinamo mori epërsi te manovra e dytë, që ndryshova në minutat e fundit në 3-5-2 dhe pastaj mendoj që morëm gjerësinë. Në një ndërrim loje, me top të lartë që mund të ishte e evitueshme, se gjithë pjesa e mbrojtjes ishte në ekuilibër, pësuam gol në minutat e fundit.
E kishim analizuar ndeshjen që të mbanim lojën në tre të katërtat. Në momentin që treshja lart nuk ishin në momentin më të mirë për presing, krijohej kjo që mesfushorët e Dinamos dhe mbrojtja në detyruan që të ngjisheshim pak më poshtë.
Kjo është vetëm një ndeshje, ka ndeshje boll. E rëndësishme është në mentalitetin tim pasimi, çdo gjë është zotërim dhe mbajtje topi. Ia kam shpjeguar çunave, e rëndësishme është të kesh topin në zotërim, si në fushë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Është e rëndësishme”, tha Tetova për RTSH pas ndeshjes.



