Kristjan Asllani, mesfushori i talentuar shqiptar i Interit ngriti mbrëmjen e kaluar së bashku me skuadrën zikaltër Kupën e Italisë për edicionin 2022-2023. Djaloshi shqiptar ka dhënë kontributin e tij të jashtëzakonshëm përgjatë këtij sezoni me ekipin e Interit, jo vetëm në Serinë A, por edhe në kompeticionet e tjera ku skuadra zikaltër ka marrë pjesë.
Kristjan Asllani bëhet kështu futbollisti i pestë shqiptar, i cili ia doli të provojë edhe këtë sukses, duke fituar Kupën e Italisë. Ndërkaq, djaloshi kuqezi dhe skuadra e Interit kanë siguruar gjithashtu edhe finalen e kompeticionit më të rëndësishëm në Europë, kundër Manchester City-t.
Cilësitë e larta të futbollistëve kuqezi që luajnë në kampionatet më të rëndësishme në Europë është një lajm shumë i mirë edhe për Shqipërinë e futbollit, që synon kualifikimin në finalet e Europianit 2024.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, trajneri Silvinjo dhe stafi i Kombëtares përshëndesin mesfushorin Kristjan Asllani për këtë triumf të dytë sezonal me skuadrën e Interit, duke i uruar suksese dhe të ngjitet sa më lart në arenën ndërkombëtare të futbollit dhe e mirëpresin për dy ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë kundër Moldavisë e Ishujve Faroe.
Suksesi i Kristjan Asllanit është edhe suksesi i Shqipërisë!