Prononcimi i trajnerit të Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, pas fitores ndaj Laçit, 1-0
“Para së gjithash duhet të theksoj se është një ditë e vështirë për të gjithë klubin, shpreh ngushëllimet e mia për djaloshin që humbi jetën, jam shumë i mërzitur. Ajo është e para. E dyta, përgëzoj lojtarët për fitoren tonë, i përgëzoj edhe tifozët për përkrahjen që na kanë dhënë. Në pjesën e parë, Laçi na krijoi shumë vështirësi, në dhomat e zhveshjeve bëmë ndryshime taktike në pushim dhe në pjesën e dytë dominuam absolutisht. Shënuam edhe golin, por është e pabesueshme se çfarë priti portieri i Laçit. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin shqiptar. Dhe që nga tani harrojmë këtë ndeshje dhe përgatitemi për atë që vjen pas kësaj.
Duhet theksuar se Ismaili ka qenë i dëmtuar tre javë, ka bërë vetëm dy stërvitje para ndeshjes, Mehmeti është jashtë, Cara është i dëmtuar, Bintsuka ka bërë vetëm dy stërvitje që kur erdhi nga përfaqësuesja, Domgjon e nisi për herë të parë si titullar. Të gjitha këto ndikojnë që në pjesën e dëmtimit kemi problemet tona, por në fund mendoj se diçka e rregulluam. Kjo është sa i përket kolektivit, ndërsa sa i përket individit, vërtetohet teza ime që çdo lojtar është i rëndësishëm për ekipin. Dhe mbase për atë ekziston edhe pushimi që të rregullohemi dhe u rregullua aspekti taktik dhe ashtu u shfaqëm në fushë.
Harrova edhe situatën e Hadrojt, por nuk është se flas shumë për këtë aspekt. Ajo që thoni ju është hipotetike nëse Laçi shënonte. Por edhe ne në pjesën e parë kishim tre raste ku mungoi vetëm pasimi i fundit. Ne kemi patur probleme në organizimin e lojës, por nëse shkojmë me këtë logjikë, edhe ne kishim situatën 3 kundër 1 me Zekën që mund të ishte ndryshe rezultati. Edhe pse diskutohet vetëm pjesa e parë, në pjesën e dytë ishim absolutisht dominues dhe rezultati duhej të ishte më i thellë. Dua ta theksoj që portieri i Laçit ka qenë mbi nivelin e duhur dhe ka shpëtuar 3-4 gola. Ajo është fakt, ndërsa kjo tjetra është pjesë hipotetike.
Kartoni i verdhë? Është shumë e thjeshtë, vetëm desha të bëja korrigjime, por kalova vijat ku duhej të qëndroja. Ishte situatë ku kishim një goditje dënimi e nuk ishim vendosur si duhej. Kam qenë mëse i përqendruar te vendosja jonë dhe humba përqendrimin për hapësirën dhe ai kishte të drejtë me kartonin. Asnjë gjë sa i përket nervozitetit, vetëm qëllimi ishte të vendosemi në raport të drejtë.
Ajo që dua të them është që kështu është futbolli. Dua të them që Laçi luan një futboll të mirë, janë shumë të shpejtë në fazën sulmuese. Tresa, Mjaki, Prodani, Kofi, Uilliam kanë shumë cilësi individuale, po ashtu kanë edhe shumë cilësi në lojën në ajër. Dhe po të ndiqni të gjithë kur kanë luajtur në ndeshjet e fundit, kanë luajtur në mënyrë shumë cilësore. Është mëse korrekte t’i uroj për mënyrën se si paraqiten në fushë”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.