Egnatia ka arritur të mposhtë Skënderbeun me rezultatin 2-0, takim i vlefshëm për javën e 21-të të Abissnet Superiore. Një sfidë mes dy skuadrave që luftojnë për mbijetesë, me formacionin e Zekerija Ramadanit që buzëqesh në fund falë golave të Pedro Augusto dhe Xhekson.
Një sfidë që nisi me një mundësi për korçarët, por Berisha nuk tregohet i vëmendshëm në pasimin e Mensah. Vendasit reaguan menjëherë me një kundërsulm të shpejtë, por mbrojtja korçare tregohet në lartësinë e duhur. Gjithsesi, goli nuk vonon të vijë. Në minutën e 15-të është Pedro Augusto që përfiton për të dërguar Egnatian në avantazh, 1-0.
Pas një loje të ndezur dhe me shumë dyluftime që karakterizoi pjesën e parëm, pjesa e dytë është disi më e vakët. Gjithsesi, vendasit arrijnë të gjejnë dhe golin e dytë në minutën e 76-të. Një aksion i bukur i Egnatias është konkretizuar nga Xhekson, 2-0, që është dhe rezultati i kësaj sfide. Tri pikë të arta për të besuarit e Ramadanit, me aromë mbijetese. Kohë të vështira për Skënderbeun.