Për Flamurtarin, ndeshjet e mbetura të fazës së tretë janë të gjitha finale. Njëra prej tyre ishte edhe ajo e luajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës.
Përballë kishte një kundërshtar shumë të fortë si Elbasani, i cili me atë çka po jep në fushën e lojës ka vënë kandidaturën për fitimin e titullit kampion.
Edhe pse luftoi fort, nuk ia doli të marrë asnjë pikë në këtë ndeshje, e cila u mbyll me rezultatin 1 me 2 në favor verdhebluve.
Referuar përballjes në fushën e lojës, në pjesën e parë të takimit, përveç golit të avantazhit të Lajthisë për verdheblutë, me pjesën e dytë që dhuroi më shumë momente dramatike.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, Flamurtari kishte fillimisht shansin e artë për të shënuar me penallti por Marku gaboi dy herë radhazi me Janaçek që e ndaloi. Pastaj erdhi goli i dytë i Lajthisë që la të mendohej se ndeshja u mbyll, por në anën tjetër realizoi Ramani duke hapur edhe një herë takimin.
Më pas e kishte radhën dëmtimi i Janaçek i cili u dërgua në spital, me takimin që u mbyll me 17 minuta shtesë për vonesa të vazhdueshme. Megjithatë, Flamurtari nuk ia doli të gjente hapësirën për të thumbuar përsëri e kësisoj Elbasanit mori pikët që i nevojiteshin.
Rezultat ky që lë në fund të renditjes vlonjatët me 24 pikë, aq sa ka edhe Tirana e vendit të nëntë, me dy dhe tre pikë larg Vorës dhe Bylisit që janë më lart.
Ndërkohë, për verdheblutë elbasanas, tre pikëshi i marrë në transferten e Vlorës, bën AF Elbasani të barazohet me pikë me Vllazninë duke kryesuar Superioren me nga 52 pikë.



