Monday, November 25, 2024

Flet drejtori i PR në FSHF, Fatjon Kodra: “Ju tregoj se si UEFA CFM më ndihmoi të rritem si profesionist”

Lexo

Siç është bërë e ditur Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë për herë të dytë edicionin e programit të mirënjohur të UEFA-s “Certificate in Football Managment”. Ky program mësimor, që organizohet në bashkëpunim mes UEFA Academy dhe partnerit të saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, është i domosdoshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike, qoftë ajo Federatë apo klub futbolli e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.

Pjesëmarrësit në këtë program janë jo vetëm punonjës në klubet shqiptare, por dhe nga administratat e federatave europiane. Zhvillohet përgjatë 9 muajve dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre në shumë fusha, teksa objektiv kryesor i CFM është gjithashtu edhe rritja e kapaciteteve menaxheriale të stafeve të federatave dhe klubeve.

Drejtori i PR në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, i cili është një nga pjesëmarrësit e programit UEFA CFM në edicionin e parë të zhvilluar në Shqipëri në vitin 2022, tregon për Fshf.org eksperiencën e tij dhe vlerëson njohuritë e marra si shumë të rëndësishme për rritjen e tij  profesionale në botën e futbollit.

“Eksperienca ime në programin e UEFA-s ‘Certificate in Football Management’ ka qenë jashtëzakonisht e çmuar dhe sfiduese. Dhe për këtë dua të falënderoj fillimisht FSHF-në që më dha mundësinë për të marrë pjesë dhe për t’u pajisur me këtë certifikatë mjaft të vlefshme në menaxhimin e futbollit dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Ky program më dha mundësinë të zgjeroj horizontet e mia në menaxhimin e futbollit dhe të kuptoj më mirë aspektet që ndikojnë në suksesin e një organizate futbollistike. Në 9 muaj kam pasur mundësi të marrë njohuri të thelluara mbi organizimin e futbollit, rregulloret, institucionet më të rëndësishme, menaxhimin strategjik e operativ të eventeve, menaxhimi i vullnetarëve, sponsorizimet, PR, marketing, futbollin e vajzave, qëndrueshmëria sociale e mjedisore, etj.

Veçanërisht më ka dhënë shumë në aspektin e marrëdhënieve me publikun, ku janë trajtuar të gjitha aspektet e profilit tim dhe se si mund të marrim maksimumin nga mjetet e ndryshme të komunikimit dhe evoluimin dinamik të rrjeteve sociale, që janë kthyer në një element thelbësor në punën tonë tonë për përditshme për të përçuar të publiku dhe ngjarjet dhe informacionet e fundit e për të ndarë me fansat emocionet magjike të futbollit.

Përveç njohurive të reja, ajo që më la më shumë mbresa ishte kombinimi i teorisë me praktikën, që më ndihmoi të shoh me një sy të ri sidomos çështjet dhe sfidat e përditshme në punën time si Drejtor i PR në FSHF”, – thotë Kodra, i cili më tej shpjegon edhe më specifikisht kurrikulën e programit të ndërtuar me shumë kujdes nga UEFA Academy & Universiteti i Lozanës dhe motologjinë.

“Programi CFM është i një niveli shumë të lartë, si në aspektin mësimor ashtu edhe në cilësinë e lektorëve. Lektorët ishin ekspertë ndërkombëtarë me përvojë të gjatë në fusha të ndryshme të menaxhimit të futbollit dhe ofruan një perspektivë të gjerë dhe të thellë mbi temat që trajtoheshin. Po flasim për disa nga pedagogët më të mirë në Europë në fushat e tyre dhe të cilët janë shumë të kërkuar nga qarqet akademike me një CV të shkëlqyer e që punojnë dhe japin kontributin e tyre në universitetet më të mira të botës përmes mësimdhënies dhe studimeve. Metodologjia e përdorur ishte shumë praktike dhe interaktive, gjë që na lejonte të aplikonim njohuritë në situata reale, duke përfituar shumë nga ky proces mësimor”, – thekson Drejtori i PR në FSHF.

Përveç pjesës së njohurive, Fatjon Kodra vlerëson edhe një aspekt të rëndësishëm të programit, që është krijimi i një rrjeti mjaft të vlefshëm me kolegë nga federata dhe klube të ndryshme europiane e që ndihmon në shkëmbimin e eksperiencave dhe kontakteve me profesionistë të futbollit.

“Në fakt, krijimi i një rrjeti me profesionistë nga vende të ndryshme ka qenë një nga elementët më të vlefshëm të këtij programi. Ky rrjet na mundëson të ndërlidhim ide dhe të ndajmë praktikat më të mira, duke pasuruar kështu eksperiencën tonë profesionale. Për më tepër, krijimi i lidhjeve të reja me kolegë nga federata të tjera europiane ka ndihmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në unifikimin e disa standardeve dhe procedurave në botën e futbollit”, – shton ai.

Në fund, Kodra flet për ndikimin që ky program ka pasur në punën e tij të përditshme, rritjen si profesionistë, ndërkohë që ka edhe një mesazh për të gjithë pjesëmarrësit që të shfrytëzojnë në maksimumi këtë shans për të marrë pjesë në një program ekselence për profesionistët e futbollit.

“Pjesëmarrja në CFM më ka ndihmuar ndjeshëm në zhvillimin tim profesional, duke më dhënë mjete të reja dhe një kuptim më të thellë të aspekteve strategjike dhe operacionale të menaxhimit në futboll.

Mesazhi im për pjesëmarrësit e këtij edicioni është që të shfrytëzojnë çdo mundësi që ky program ofron. Të jenë aktivë, të ndajnë përvojat e tyre dhe të ndërtojnë lidhje të forta me kolegët e tyre nga vende të ndryshme, sepse kjo është një mundësi unike për të rritur kapacitetet e tyre dhe për të kontribuar në përmirësimin e futbollit në vendin tonë”, – shprehet Drejtori i PR në FSHF, Fatjon Kodra në intervistën e tij dhënë për Fshf.org.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img