Pas pak do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të Vllaznisë së vajzave. Shkodranet do të presin në “Loro Boriçi” ekipin e Dinamo Minsk, duel i parashikuar për të filluar në orën 19:00.
Takim i vlefshëm për turin e dytë të Champions League dhe që kuqebluve iu duhet patjetër të fitojnë për të patur mundësinë të kualifikohen në finalen e këtij turi.
Trajneri Nikolin Leka ka hedhur në fushë këtë 11-she titullare:
Cristina Recalde në portë, Jeremy Myvett, Suzane Vuksani, Arbiona Bajraktari dhe Teresa Deda në mbrojtje. Në mesfushë do të luajnë Verona Berisha, Klaudia Borci, Mayerlin Hernandez Meneses dhe Aidena Mustafa. Sulmi është besuar Mirelis Rojas dhe Miamour Juana Mesa.
Në stol do të jenë të gatshme Dior Manuella Wilson, Riselda Leba, Natalie Strkalj, Rosela Vasa, Sophie Marie Castro, Marinela Ndoci, Herta Hasaj, Egla Hoxha, Drilona Mataj, Imelda Ara, Lusi Cungu dhe Carmen Quinones.
Kujtojmë se Vllaznia synon kualifikimin historik për në fazën e grupeve të Champions League, ndërsa atmosfera në “Loro Boriçi” pritet të jetë e zjarrtë me mbështetjen e tifozëve shkodranë.