Në fund të një gare të pafund – nisur një orë me vonesë për shkak të shiut dhe e ndarë në dy pjesë nga një aksident i rëndë por për fat pa pasoja të Mick Schumacher, Sergio Perez fiton edicionin e 68-të të Çmimit të Madh të Monakos duke i rezistuar në xhirot e fundit presionit të Carlos Sainz i cili nuk gjeti hapësira për të parakaluar meksikanin në vështirësi me gomat. Vendi i fundit i podiumit është për Verstappen, që shkëputet edhe më shumë në renditjen e Botërorit ndaj Charles Leclerc, i katërti në fund të një GP të kushtëzuar nga një rrëmujë në pit stop në pjesën e parë të garës.
Një gabim vlerësimi i skuderisë italiane i humbi praktikisht garën Charles Leclerc dhe Ferrarit. Gjithçka ndodhi mes xhiros së 16-të dhe xhiros së 21-të, kur Sergio Perez ndaloi për të vendosur gomat e ndërmjetme për lagështirë: kohët e meksikanit ishin shumë të shpejta, por në Maranello hezituan një xhiro edhe sepse Sainz në bisedën me box-et, zgjodhi të qëndrojë në pistë për të pritur që të thahej për të kaluar në goma për të thatë.
Kohët e Red Bull në fakt bënë që strategjia të ndryshonte, por kur u thërrit Leclerc, gafa u bë edhe më e madhe. Fillimisht i kërkuan të futej e pastaj e lanë jashtë, me pilotin që i kishte vendosur gomat në pit lane. Çmimi i Madh i Montekarlos ofroi një diversitet emocionesh të denja për historinë e tij, por mbi të gjitha me siguri qëndron zhgënjimi i shumëfishtë i pilotit vendas të Ferrarit, i cili për të dytin vit radhazi kishte shënuar pole position, por akoma edhe një herë duhet të shtyjë ëndrrën e fitores.
Menjëherë pas episodit fatkeq me skuderinë gara u ndal për shkak të flamurit të kuq për aksidentin e rëndë të Schumacher. Gjatë xhiros së 27 gjermani humbi papritur kontrollin e Haas-it të tij, duke u përplasur në barrierat mbrojtëse. Makina u nda në dysh, siç ndodh shpesh në rast të impakteve të tilla të dhunshme, por piloti i ri fatmirësisht mbeti i padëmtuar. Pas disa çastesh ankthi, në fakt ka qenë vetë gjermani që komunikoi në radio me ekipin me fjalët “gjithçka në rregull”.
Pas rifillimit asnjë mundësi tjetër nuk iu ofrua Ferrarit, përveç ndalimit të Red Bull me një vend të dytë të Sainz, në një GP që në pjesën e dytë ofroi më pak emocione se i pari, e ku ferraristi nuk gjeti mundësinë të parakalonte Perez në vështirësi, por bëri më pak të hidhur dështimin e Leclerc, duke mbajtur pas Verstappen.