Sharl Lëklerk ka siguruar nisjen nga vendi i parë i garës së të dielës në Çmimin e Madh të Montekarlos në Formula 1, teksa piloti vendas ishte më i shpejti në pistën e shtëpisë në provat zyrtare të së shtunës, të cilat në fakt u mbyllën pak më herët për shkak të përplasjes së Serxhio Perezit. Lëklerku po kryesonte kundrejt shokut të tij të skuadrës së “Ferrari”-t, Karlos Sainzit, kur gjithçka po u drejtohej xhirove të fundit në seancën e 3-të dhe të fundit të provave zyrtare, teksa kishte regjistruar kohën 1 minutë, 11 sekonda e 376 të mijëtat.
Perezi dukej shpresa më e mirë e “Red Bull”-it pasi kishte qenë më i shpejti në seancën e 3-të dhe të fundit të provave të lira të shtunën dhe kryesoi kundrejt shokut të tij të skuadrës, Maks Verstapenit, gjatë të 3 seancave të provave zyrtare dhe ishte në gjurmët e Lëklerkut me një set gomash të buta. Dhe teksa piloti vendas doli nga tuneli i famshëm, Perezit i doli makina nga kontrolli në kthesën para hyrjes në të, duke e përplasur pjesën e pasme të “Red Bull”-it të tij me murin rrethues të pistë, teksa edhe Sainzi u përplas më pas me meksikanin.
Flamujt e kuq dolën në skenë dhe teksa kishte mbetur më pak se një minutë nga koha e seancës së 3-të, provat zyrtare u deklaruan të mbyllura. Në fakt, të dy pilotët e “Ferrari”-t kanë pushtuar radhën e parë të nisjes në garën e së dielës, duke qenë më të shpejtët në pistën e Principatës, pasi krahas Lëklerkut do të rreshtohet Sainzi, ndërsa në rreshtin e dytë do të rreshtohen dy makinat “Red Bull” të Perezit dhe Verstapenit, ndërsa 10-shen e të parëve e plotësojnë Lando Norris, Xhorxh Rasëll, Fernando Alonso, Ljuis Hemilton, Sebastian Fetel dhe Esteban Okon. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:50.