Shqipëri – Moldavi 9-1 (Shënuese: Vasa 10′, 45’+3, 77′, Ago 11′, 58′, 64′, Ndoj 20′, Methoxha 71′, Brahaj 81′ / Nichifor 18′)
Shqipëria U-17: Mone, Ndoci, Disha, Vasa, Bushati, Brahaj, Ago, Methoxha, Ndoj, Nika dhe Hasaj. Trajner: Agustin Kola
Janë luajtur këtë të premte ndeshjet e dyta të Grupit B në Eliminatoret e Kampionatit Europian U-17 për vajza, që zhvillohen në Shqipëri. Kombëtarja shqiptare U-17 e vajzave femra u ndesh me Moldavinë në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, duke triumfuar me rezultatin 9-1.
Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Agustin Kola e nisi ndeshjen me këtë formacion: Mone, Ndoci, Disha, Vasa, Bushati, Brahaj, Ago, Methoxha, Ndoj, Nika dhe Hasaj.
Vajzat kuqezi tregojnë që në start superioritetin e tyre dhe e spostojnë menjëherë lojën në fushën kundërshtare, duke iua afruar disa herë golit. Në minutën e 10-të Rosela Vasa godet portën me topin që nuk kontrollohet siç duhet nga portierja Chiciuc dhe përfundon në rrjetë. 1-0 për Shqipërinë që vetëm një minutë më pas gjen edhe golin e 2-0, kur Klesta Ago finalizon saktësisht në zonën e vogël pas një krosimi nga e majta, duke e depozituar topin në rrjetë. 20 minutat e paratë ndeshjes janë mjaft intensive teksa në një kundërsulm Moldavia gjen golin me Nichifor, e cila në minutën e 18-të finalizon saktë me një gjuajtje diagonale pas një aksioni individual në të djathtë, duke ngushtuar shifrat në 2-1. Megjithatë, vajzat kuqezi nuk dekurajohen dhe vetëm dy minuta më vonë gjejnë golin e tretë me anë të Xhesika Ndojit, që zotëron bukur një top në hyrje të zonës dhe mposht portieren moldave.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Shqipëria gjen edhe golin e katërt pas një goditje këndi me topin që përplaste në traversë dhe aty Vasa përfiton duke shënuar me një gjuajtje me kokë.
Pjesa e dytë nis sërish me Shqipërinë që sulmon në vazhdimësi dhe i afrohet sërish golit. Trajneri Kola hedh në fushë Laura Barin, e cila zëvendëson Bora Bushatin. Në minutën e 58-të është sërish Ago që pas një depërtimi driblon edhe portieren për të shënuar golin e pestë të Shqipërisë de të dytin personal. Sërish Ago në minutën e 64-t finalizon një aksion të rrjedhshëm, me një gjuajtje në hyrje të zonës me topin që përfundon në rrjetë pas grushtimit të pafat të portieres. Ndërkohë në fushën e lojës kanë hyrë dhe Ndoci e Likollari, për të freskuar forcat në fushë.
Rezultati shkon në 6-1 teksa vajzat kuqezi nuk mjaftohen me kaq dhe në minutën e 71-ë është radha e kapitenes Era Methoxha të gjejë golin pas një goditje nga këndi, me një gjuajtje model me kokë. Pas Methoxhës është radha e Vasës që ta çojë rezultatin në 8-1 pasi merr një top në qendër të zonës dhe godet saktë me të majtën, duke shënuar në minutën e 77-të golin e saj të tretë personal në këtë ndeshje. Në minutën e 80-të është radha e Ornela Brahaj të shijojë golin me një gjuajtje vërtetë fantastike nga distanca që gjen të papërgatitur portieren dhe çon shifrat në 9-1.
Sfida mbyllet me fitoren 9-1 të Shqipërisë U-17, që bëri një paraqitje shumë të mirë dhe e meritoi plotësisht goleadën.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Kosova u mund nga Maqedonia e Veriut me rezultatin 2-1. Kosovaret kaluan të parat në avantazh me golin e shënuar nga Paci në minutën e 7-të, por Maqedonia e Veriut u kundërpërgjigj që në pjesën e parë me dy gola të shënuar nga Mitkovska në minutat 35 dhe 46.
Në përfundim të ndeshjeve të dyta, Maqedonia e Veriut renditet e para me 6 pikë, e ndjekur Kosova dhe Shqipëria mënga 3 pikë, ndërsa Moldavia është e fundit me 0 pikë.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 18, 21 dhe 24 tetor. Ndeshja e tretë dhe e fundit e vajzave kuqezi do të jetë kundër Kosovës, më 24 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30. Sfidat e tjera të grupit, të skuadrave mike do të zhvillohen në stadiumin “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.
Eliminatoret e Europianit U-17 për vajza Liga B / Grupi B
Shqipëri – Moldavi 9-1 (Shënuese: Vasa 10′, 45’+3, 77′, Ago 11′, 58′, 64′, Ndoj 20′, Methoxha 71′, Brahaj 81′ / Nichifor 18′)
Kosova – Maqedoni e Veriut 1-2 (Shënuese: Paci 7’ / Mitkovska 35′, 45’+1)