Ekipet shkodrane të futbollit vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive. Për javën e 17-të të Kampionatit Kombëtar të femrave, ishin pikërisht ekipet shkodrane që regjistruan dy fitoret më të thella, kuqeblutë mundën në shtëpi Bilisht Sport me rezultatin 11 me 0, ndërsa Juban Danja Murlani fitoi në transfertë me Lushnje 1 me 7.
Vllaznia-Bilisht Sport 11-0
(Shënues: Doçi 2’, 29’, 33’, 61’, 62’, 67’, 90’, Lufo 26’, Murati 47’, Mustafaj 53’, Gjini 54’
Lushnja-Juban Danja Murlani 1-7
(Shënues: Dufo 75’ /Çerkini 12’, 15’, Smajlaj 67’, Avllija, 71’, Gerbeti 77’, Kola 79’, Vasa 88’)
Edhe pse tashmë kanë siguruar fitimin e titullit kampion, futbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka vazhdojnë të respektojnë kampionatin duke mos toleruar në asnjë ndeshje. Në përballjen e sotme të luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës vajzat kuqeblu tunden plot 11 herë rrjetën kundërshtare, ku si gjithnjë, spikatjen më të madhe e kishte Megi Doçi e cila e çoi plot 7 herë topin në rrjetën e Bilisht Sport. Në listën e golashënueseve kanë shkruar emrin e tyre edhe Lufo, Murati, Mustafaj dhe Gjini. Fitore kjo që e çon skuadrën shkodrane në kuotën e 51 pikëve, tetë më shumë se sa Apolonia e vendit të dytë, diferencë kjo që nuk e pengon Vllazninë për të bërë pronë të saj trofeun e këtj sezoni futbollistik.
Shkodra në fakt përfaqësohet me tre ekipe futbolli, Vllaznia, AAS dhe Juban Danja Murlani. Ndërkohë, që AAS i drejtuar nga trajneri Ditmir Rakaj ka bërë mirë duke qënë në grupin e skuadrave të mesit të tabelës së klasifikimit, skuadra tjetër e Shkodrës, Juban Danja Murlani që drejtohet nga trajneri Elis Legata po surprizon me paraqitjet dhe fitoret e njëpasnjëshme që po arrin në këtë sezon sportiv.
Fitorja e radhës është kjo e sotmja e regjistruar në transfertë me ekipin e Lushnjes. 1 me 7 ka përfunduar kjo përballje, ku golit të vetëm të vendasve me autore Dufo, mikeshat nga Shkodra, që përpos qytetit të Shkodrës përfaqësojnë edhe zonën e Jubanit, Barbullushit, dhe të Bashkisë Vau Dejës i janë përgjigjur me shtatë gola duke e fituar këtë ndeshje me rezultatin e thellë 1 me 7. Pozicionimi në vendin e katërt me 36 pikë me vetëm 3 pikë larg treshes kryesuese është tregues i punës shumë të mirë që bëhet në këtë skuadër, e cila falë administrimit menaxhues që po i bëhet, me të gjitha gjasat do të jetë krejt ndryshe sezonin e ardhshëm.
Rezultatet e javës së 17-të K.Kombëtar të futbollit femra
Vllaznia – Bilisht Sport 11-0
Lushnja – Juban Danja 1-7
Skënderbeu – AAS 5-0
Apolonia – Partizani 2-0
Tirana- Tirana AS 5-0
Java e 17-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra mbyllet të dielen me çiftin Kinostudio – KF Teuta i planifikuar të luhet në ora 14:30.