Java e 9-të e Kampionatit Kombëtar të Abissnet Superiore në futbollin e femrave është planifikuar të luhet në katër ditë, duke nisur nga enjtja deri në të dielë. Ndeshja hapëse e kësaj jave është luajtur sot në stadiumin “Roza Haxhiu” duke përballur Lushnjen vendase dhe Kinostudios mysafire. Takim, ky i mbyllur me rezultatin 0 me 5 në favor të Kinostudios. Golat për skuadrën tiranase janë shënuar Xhebrahimi, Tori, Habili, Hida, dhe Doce.
Sipas kalendarit, nesër do të luhet edhe sfida më interesante e javës Gramshi – Partizani, dy skuadrat që kanë bërë mjaft mirë në këtë sezon. Ndeshja do të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe do të transmetohet edhe live në kanalin e RTSH.
Sfidat e tjera të javës do të luhen në fundjavë. Pas barazimit me Teutën, Tirana do të presë Egnatian në shtëpi. Ndeshja do të luhet të shtunën në ora 13:00.
Apolonia do të kërkojë kthesën këtë javë pas humbjes me Vllazninë teksa do të luajë ndeshjen e radhës ndaj ekipit të Laçit në transfertë. Sfida është programuar të luhet ditën e diel në ora 11:00. Sakaq, sfida Vllaznia – Teuta është shtyrë dhe do të luhet në një moment të dytë, pasi kampionet kuqeblu të Vllaznisë janë pjesë e Turneut Ndërkombëtar të Futsales që zhvillohet nga data 13-14 në Itali.
Java e 9-të e kampionatit të vajzave
Lushnja – Kinostudio, 12 dhjetor, ora 14:00
Gramshi – Partizani, 13 dhjetor, ora 13:00
Tirana – Egnatia, 14 dhjetor, ora 13:00
Laçi – Apolonia, 15 dhjetor, ora 11:00
Vllaznia – Teuta, e shtyrë