Kampionati Kombëtar i futbollit për femra, luan këtë fundjavë, ndeshjet e javës së pestë. Sipas kalendarit të planifikuar nga sektori i futbollit të femrave pranë FSHF-së, ndeshjet do të jenë në dy ditë, e shtunë dhe e diele.
Mes dueleve të kësaj jave, spikat, ai në mes Vllaznisë dhe Partizanit, sfidë e cila do të luhet të shtunën në stadiumin”Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës duke filluar nga ora 14:00.
Skuadra kuqeblu, e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, e cila paralelisht me kampionatin është e angazhuar edhe me ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kampionave të Europës, kryeson kampionatin me 12 pikë të plota. Ndërkohë, për Partizanin është akoma e pashlyer ai moment i keq kur humbi derbin me Tiranën në minutat e fundit të ndeshjes. Një ndeshje që favorizon skuadrën kuqeblu, niveli i së cilës është shumë më lart se të gjitha skuadrat e tjera, por gjithësesi mbetet për tu parë se si do të reagojë Partizani në këtë përballje.
Po aq interesante duket edhe dueli, Apolonia-Teuta, që do të jetë edhe sfida hapëse e kësaj jave të pestë, e planifikuar për t’u luajtur të shtunën në ora 12:00 në Fier. Apolonia do të luajë vetëm për 3 pikët në shtëpi, teksa vjen në këtë ndeshje pas fitores së rëndësishme ndaj Laçit në fushë të huaj, ndërsa Teuta u mund javën e kaluar nga Kinostudio në shtëpi.
Të dielën do të zhvillohen edhe 3 sfidat e tjera të javës së 5-të. Tirana do të presë në shtëpi Laçin, një ndeshje e lehtë në letër për vajzat bardheblu që e kanë nisur shumë mirë kampionatin dhe kërkojnë të vijojnë me këtë ecuri pozitive.
Sakaq, Laçi nuk e ka shijuar ende fitoren këtë sezon, teksa do të tentojë të bëjë surprizën në Kompleksin “Skënder Halili”. Në dy ndeshjet e tjera të së dielës, Kukësi do të presë në shtëpi Skënderbeun, me përballjen që nis në ora 13:00, kurse Lushnja viziton kryeqytetin për t’u ndeshur me Kinostudion, në ndeshjen që luhet në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare, në Kamëz, duke nisur nga ora 14:00.