Shqipëri – Turqi 1-2
Golat: Curraj 4’ / Ebru Topcu 38’, 68’ (11m)
Shqipëria: Rexhepi, Rrahmani, Curraj (Metalla 75’), Maliqi, Elezaj (Memija 61’), Franja, Gjini, Doçi, Berisha (Xhindole 75’), Hila (Bajraktari 83’), Hamidi.
Trajner: Armir Grima
Kombëtarja e femrave ka luajtur sot ndaj Turqisë miqësoren e parë, që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima u mund në fund të 90 minutave me rezultatin 2-1, pavarësisht se bëri një paraqitje të mirë.
Shqipëria e femrave do ta niste ndeshjen me këtë formacion: Rexhepi, Rrahmani, Curraj, Maliqi, Elezaj, Franja, Gjini, Doçi, Berisha, Hila, Hamidi.
Vajzat kuqezi e nisin mjaft mirë takimin dhe në minutën e 4-t gjejnë golin e avantazhit, me Arbenita Currajn, e cila merr një pasim nga Franja dhe godet saktë brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë. Por skuadra turke nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe nisë të reagojë, duke barazuar shifrat në minutën e 38-të me anë të Ebru Topcu. Pjesa e parë mbyllet me shifrat e barabarta 1-1.
Në minutën e 61-të të takimit, trajneri Grima vendos të freskojë skuadrën, duke nxjerrë nga fusha e lojës Endrina Elezaj-n dhe duke i dhënë mundësi për herë të parë futbollistes 17-vjeçare Anna Memijës të debutojë me fanellën kuqezi.
Ndërkaq, Turqia arrin të fitojë një penallti në minutën e 68-të, që ekzekutohet me sukses po nga Ebru Topcu që firmos përmbysjen dhe fikson rezultatin në 1-2.
14 minuta pas zëvendësimit të parë, tekniku kuqezi vendos të fusë në fushën e gjelbër Mikaela Metallën, e cila zëvendëson autoren e golit, Arbenita Curraj-n si dhe futet në lojë Xhulia Xhindole, në vend të Gresa Berishës.
Gjithsesi, kombëtarja kuqezi nuk arrin të barazojë shifrat ndonëse përpjekjet kanë qenë të vazhdueshme.
Në minutën e 83-të, Grima i jep mundësinë e lojës mbrojtëses Arbiona Bajraktari, e cila ka qëndruar për një kohë të gjatë larg fushës për shkak të dëmtimit, duke zëvendësuar Alma Hilën. Deri në fund rezultati nuk ndryshon me Shqipërinë që mundet 1-2 nga Turqia.
Kjo ishte ndeshja e parë miqësore, ndërsa tre ditë më vonë, Shqipëria dhe Turqia do të luajnë ndeshjen e dytë miqësore në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, në ora 18:00.
Këto ndeshje e ndihmojnë përfaqësuesen shqiptare për të kolauduar grupin e vajzave që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kualifikueset e kampionatit Botëror Australi-Zelandë e Re 2023”.