Kombëtarja shqiptare e femrave e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të luajë sot në “Air Albania” të Tiranës përballë kombëtares së Armenisë në kuadër të eliminatoreve të Botërorit “Australi – Zelandë e Re”. Situata në grup është mjaft optimiste dhe këtë e konfirmojnë edhe dy nga vajzat e kombëtares, Esmeralda Franja dhe Luçije Gjini, të cilët besojnë shumë te një rezultat pozitiv ndaj armeneve.“Është gjithmonë kënaqësi e madhe të vish në grumbullim me Kombëtaren. Është një privilegj i madh që të grumbullohesh me Kombëtaren e vendit tënd. Gjendja e ekipit mendoj se është shumë e mirë, pasi vijmë nga fillimi i kampionatit shqiptar, mendoj se të gjitha vajzat janë me stërvitje dhe do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Ndeshjen e parë e kemi ndaj Armenisë. Natyrisht që synimi ynë për këtë ndeshje është fitorja, pastaj me Poloninë, do të shohim. Është një ekip shumë i fortë, por natyrisht do të japim maksimumin për të marrë edhe aty fitoren. Objektivi është që të ngjitemi sa më lart, sepse Federata ka bërë gjithmonë investime të mëdha në futbollin e femrave dhe ne duhet t’ua shpërblejmë, të jemi sa më lart. Besoj se ëndrra e të gjitha futbollisteve është që të kualifikohen në kompeticionet e mëdha si Europian dhe Botëror. Kjo është ëndrra ime më e madhe me Kombëtaren. Shpresoj një ditë t’ia dalim!”, -shprehet Franja.
Ndërsa, Luçije Gjini vlerëson entuziazmin që karakterizon Kombëtaren dhe ashtu si Franja, ka shumë besim te një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të parë në shtëpi.
“Ne ndihemi shumë mirë. Kemi disa ditë që jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen e radhës, që kemi kundër Armenisë. Gjendja e grupit duket e mirë, ka entuziazëm në ekip dhe besoj do e marrim këtë ndeshje me pozitivitet, edhe për ta fituar. Është ndeshja e parë kundër Armenisë, na duhet patjetër fitorja ndaj këtij ekipi, për të pasur dhe më shumë vetëbesim për ndeshjen tjetër ndaj Polonisë. Duke marrë parasysh ndeshjet, ekipet që kemi në grup, siç dihet ka ekipe shumë të forta, ka ekipe elite, besoj se duhet të japim maksimumin tonë, të paraqitemi sa më mirë dhe të ngjitemi ndoshta dhe një pozicion më lart nga aty ku jemi. Në planin personal dua të paraqitem sa më mirë, të jap maksimumin tim dhe të bëj gjithçka që kam mundësi për të fituar ndeshjen, për të ndihmuar ekipin”, – u shpreh Gjini.
Sfida e parë e Shqipërisë ndaj Armenisë do të luhet në shtëpi më 21 tetor në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 17:00. Ndeshja e dytë është në transfertë ndaj Polonisë, më 26 tetor, ora 19:45 në “Tychy Stadium”.
Shqipëria është shortuar në Grupin F të eliminatoreve të Botërorit, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë.