Sunday, November 24, 2024

Futboll Femra-Starton Kampionati Kombëtar. Derbi shkodran dhe ai kryeqytetas prodhojnë 22 gola, Kinostudio-Tirana 0-8 dhe Vllaznia-Murlani 14-0

Lexo

Kampionati Kombëtar i futbollit të femrave ka ngritur siparin e edicionit të 13-të këtë fundjavë. Java e parë e këtij kampionati është zhvilluar e ndarë në dy ditë, ku tre nga ndeshjet u luajtën ditën e shtunë, ndërsa dy sfidat e tjera u zhvilluan ditën e sotme.

Java e parë ka regjistruar dy derbi, një në kryeqyte dhe një në Shkodër. Në atë të kryeqytetit në mes Kinostudios pritëse dhe  Tiranës udhëtuese, ndeshje kjo e para që çeli këtë edicion të ri, skuadra bardheblu fitoi me rezultatin 0 me 8. Sfida e zhvilluar në Kamëz Tirana tregoi superioritet gjatë të gjithë ndeshjes, me pesë gola në pjesën e parë dhe tre në të dytën. Bardheblutë e nisin kështu mbarë kampionatin, duke marrë tre pikëshin e parë.

Të shtunën u zhvilluan edhe dy sfida të tjera. Korçaret e Skënderbeut udhëtuan drejt Shkodrës, në një transfertë jo të lehtë kundër Atletik Club, ku ndeshja nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1. Ishin juglindoret ato të cilat kaluan të parat në avantazh, me Dea Repën, e cila shënoi në minutën e 52-të të takimit, ndërsa verioret u kundërpërgjigjën me Samela Markaj në minutën e 70-të. Të dyja ekipet ndanë nga një pikë në këtë javë të parë të kampionatit.

Partizani e nisi jo mirë sezonin e ri, duke marrë humbjen e parë në transfertën fierake. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Loni Papuçiu” u përfundoi me shifrat finale 5-1 në favor të Apolonisë. Pjesa e parë u mbyll e barabartë, me porta të paprekura, ndërsa në fraksionin e dytë vendaset shpërthyen në gola, duke shënuar 5 të tillë në portën e mikeve dhe duke rrëmbyer kështu tre pikët e para.

Ndërkaq, në dy sfidat e ditës së sotme, Lushnja bindi në ndeshjen ndaj Teutës, pasi fitoi me rezultatin 3-2. Një fitore që i jep siguri myzeqareve dhe besim në këtë edicion të ri futbollistik. Të dyja ekipet arritën të shënonin nga një gol në 45 minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë, vendaset kaluan në avantazh, por Teuta arriti sërish të barazojë shifrat në 2-2. 10 minuta para fundit të lojës, skuadra lushnjare shënoi edhe golin e tretë, duke marrë kështu fitoren e parë në kampionat.

Derbi shkodran, Vllaznia-Murlani ishte çifti i fundit që mbylli javën e parë të kampionatit. Ndeshja e luajtur pasditen e së dieles në stadiumin “Reshit Rusi”, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka në cilësinë e kampionies në fuqi fitoi bindshëm derbin verior kundër ekipit të Murlanit, i cili kishte në pankinë ish kolegun e Lekës tek Vllaznia, Arben Parmeza. Kualiteti i Vllaznisë në këtë ndeshje nuk kishte nevojë fare për koment, pasi gjatë të gjithë ndeshjes ato ishin superiore në fushën e lojës duke e tundur plot 14 herë portën e Murlanit, pa pësuar asnjë në portëne tyre duke bërë që e gjithë ndehsja të mbyllet me rezultatin 14 me 0 në favor të skuadrës kuqeblu.

Rezultatet e javës së parë të kampionatit të femrave: 

Kinostudio 0 – 8 Tirana

Atletik Club 1-1 Skënderbeu

Apolonia 5-1 Partizani

Lushnja 3-2 Teuta

Vllaznia 14-0 KF Murlani

Tirana AS – pushim

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img