Gramshi-Vllaznia 1-5(Shënues: Garcia Davila 73’ /Megi Doçi 45’, 79’ Riselda Leba 47’, James Groves 53’, Teresa Deda 68’)
Vllaznia e futbollit femra është e pandalshme. Sot, skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka ka likujduar në transfertë edhe Gramshin, skuadra që konsiderohet si rivali kryesor, për faktin se në përballjen e sotme, vinte e pozicionuar në vendin e dytë pas Vllaznisë, e cila kryesonte me 21 pikë të plota.
Ndeshja e vlefshme për javën e nëntë të Kampionatit Kombëtar të Superligës së futbollit femra është zhvilluar në fushën sportive të Shtëpisë së Futbollit Tiranë dhe është mbyllur me rezultatin e thellë 1 me 5 në favor të Vllaznisë.

E veçanta e kësaj sfide për skuadrën kuqeblu kishte të bënte me faktin se kapitenia e tyre Megi Doçi vinte në këtë ndeshje me një rekord unikal, mje 800 gola të shënuar në kampionatet kombëtare.
Fotoja që shoqëron shkrimin është bërë pikërisht para ndeshjes së sotme, ku përmes një ceremonie modeste, Megi Doçit i është dorëzuar fanela me shifrën 800.
Por, kësaj shifre i shtohen edhe gola të tjerë të shënuar sot nga Megi Doçi ndaj Gramshit 45’, 79’ duke e çuar shifrën në kuotën e 802 golave të shënbuar në kampionat.
Tre golat e tjerë të Vllaznisë në sfidën e sotme mbajnë firmën e Riselda Leba 47’, James Groves 53’ dhe Teresa Deda 68’.
Me këtë fitore, Vllaznia vazhdon të kryesojë kampionatin e femrave, ku me një ndeshje më pak është në kuotën e 24 pikëve, e ndjekur tashmë nga Apolonia me 19 pikë, Gramshi 16, Teuta dhe Partizanini nga 15, Egnatia 7, Kinostoudio dhe Atletik Klub 4 dhe Lushnjua 1.
Gaspër MARKU



