Futboll Femra-Vllaznia sfidon borën korçare, mund Skënderbeun në transfertë 0-14, Doçi tund 6 herë rrjetën kundërshtare

Skënderbeu-Vllaznia 0-14

(Shënues: Doçi 6, Maliqi 3, Kodra dhe Lufo nga 2, Gjergji 1)

Edhe pse në një fushë të mbuluar me dëborë, që në një farë mënyre është edhe arma më e fortë e skuadrës korçare, Vllaznia nuk ka dashur t’ia dijë duke vijuar rrugën e fitoreve.

Ndeshja e luajtur mesditën e sotme në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, në mes Skënderbeut vendas dhe Vllaznisë mysafire ka përfunduar me rezultatin e thellë 0 me 14 në favor të Vllaznisë.

6 nga 14 golat e skuadrës kuqeblu të drejtuar nga trajneri Nikolin Leka janë shënuar nga Megi Doçi, e cila në këtë ndeshje ishte edhe kapitene e skuadrës. Golat e tjerë për Vllazninë kanë për autore Maliqin me 3 gola të shënuar, Kodrën dhe Lufon nga 2, si dhe Gjergjin 1.

Ndeshja e sotme ishte për llogari të Javës së 11-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra kategoria Superiore, e cila vinte menjëherë pas ndeshjeve gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, gjatë të cilave Vllaznia dhe Tirana u kualifikuan në finale, sfidë e cila pritet të luhet në fund të sezonit.

Pas kësaj jave, Kampionati Kombëtar i femrave ndërpritet përsëri për arsye të grumbullimit të kombëtares, ku 23 futbolliste kuqezi, 12 prej të cilave të Vllaznisë do të sterviten në kampingun sportive të Ulqinit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu