Krahas Kategorisë Superiore që ka startuar vitin 2022 që me 15 janar, sot kanë filluar edhe ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Parë. Në kuadrin e javës së 16-të, janë luajtur 6 ndeshje, mdërkohë që dy ndeshje: Pogradeci-Butrinti dhe Korabi-Tomori, për shkak të kushteve të vështira atmosferike janë shtyrë për një datë tjetër.
Ballshiotët kryesues të tabelës së klasifikimit, në gjirin e të cilëve luajnë dy shkodranët Liridon Qardaku dhe Marçelino Preka, nuk kanë falur as sot teksa kanë mundur me rezultatin 1 me 0 Besëlidhjen e Lezhës.
Golin e fitores për Bylisin e ka shënuar shkodrani Qardaku duke i dhënë kështu tre pikë të vlefshme ballshiotëve që duke përfituar nga barazimi i Erzenit që e ndjekë në vendin e dytë, tashmë e thellon diferencën në 7 pikë.
Sa i takon shijakasve, ato bënë një hap të gabuar duke lënë dy pikë në shtëpi përballë Apolonisë së Fierit në një barazim 1 më 1.
Në barazim 1 me 1 u mbyll edhe derbi verior, Burreli-Tërbuni, në një ndeshje shumë të dyluftuar ku ndër të tjera kishte edhe një sfidë trajnerësh, ku përballë shkodranit Elvin Beqiri të stolit pukjan ishte Alert Alcani, që në fazën e parë të kampionatit ka qënë në stafin e Tërbunit përkrah teknikut Beqiri.
Nga ana tjetër, me fitore në krye të Lushnjes ka startuar trajneri Agim Canaj, i cili ka mundur Maliqin në shtëpi me rezultatin 2-0. Kavajasit e Beses kanë arritur të triumfojnë 1-0 përballë Turbinës në Cërrik, ndërsa Vora ka mposhtur Shkumbinin me rezultatin 3-1.
Rezultatet e javës së 16-të të KK Kategoria e Dytë
Erzeni-Apolonia 1-1
Lushnja-Maliqi 2-0
Bylis-Besëlidhja 1-0
Burreli-Tërbuni 1-1
Turbina-Besa 0-1
Vora-Shkumbini 3-1