Shtatlarti shkodran i mbrojtjes së Besëlidhjes, Kled Dibra është autor i një goli vendimtar për fatet e qëndrimit në kategorinë e parë të skuadrës lezhjane. Besëlidhja ka fituar në frymën e fundit në fushën e vet ndaj Orikut, ndërsa kështu jo vetëm që është në krye të grupit A të mbijetesës me 32 pikë, por në të njëjtën kohë ka siguruar dhe qëndrimin në Kategorinë e Parë. Për lezhjanët është sezoni i katërmbëdhjetë në Kategorinë, ndërsa zona e mbijetesës ka dhe tre javë deri në përfundim të kampionatit.
Ndeshja ka qenë e fortë me kërkesën e të dy ekipeve për pikë, ndërsa në të 71’ ka pasur dhe një ndërprerje prej tetë minutash. Sepse Përgjoni është përplasur kokë më kokë me Kongjinin, ndërsa ky i fundit ka mbetur i dëmtuar. Është dashur ndërhyrja e autoambulancës, e cila e ka transportuar lojtarin e Orikut në spitalin e Lezhës.
E pikërisht në të 95’ Ruben Danaj ka hyrë në zonën e Orikut ka pasur me gjoks për Dibrën, që përballë Muhos, e ka dërguar topin në krahun e djathtë të portierit të Orikut. Në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit tensionet kanë qenë të mëdha, por ndërhyrjet e stafeve të të dy ekipeve kanë shmangur konfrontimet.
Në ndeshjen tjetër të grupit A të mbijetesës, Partizani B ka fituar 4-2 me Veleçikun, por nuk e shpëton dot veten nga rënia në Kategorinë e dytë, ndonëse matematika e mban ende në lojë, sepse është shtatë pikë larg Orikut dhe tetë pikë larg Erzenit. Megjithatë tre javët e fundit janë ende për t’u ndjekur për mbijetesën e Kategorisë së Parë.
KATEGORIA E PARË
Rezultatet/Grupi A(Play Out)
BESËLIDHJA-ORIKU 1-0
Shënues: Dibra 90+5
PARTIZANI B-VELEÇIKU 4-2
Shënues: Llanaj 16’, Gjegji 22’, Gjinaj 47’, Marinaj 79’/ Delaj 52’, Banushaj 87’