KF Murlani-AF Luftëtari 0:1 (Shënues: Skerdi Matushi 84’)
E premte, 23 prill 2021, ora 13.00, Kompleksi Sportiv Kamëz
Luftëtari: S. Basha, Pula, K. Basha, Matudhi, Balla, Zholi (A. Stroka 84’), Puci, Boni, Braho (Këndella 60’), Mahmutaj, Batha. Trajner: Fotis Kristidhi.
Murlani: Rexhepi, Premcci (Kaçi 71’), Lekaj, Lani, Krymi, Kaçubela, Sa. Kraja, Djepaxhia (Fikaj 46’ – Hoti 82’), Pepaj, Mesi (Smajli 71’), Se. Kraja (Gjini 82’). Trajner: Altin Xhahysa.
Gjyqtarë: O. Sokoli, G. Llukmani, M. Shazivari, R. Zaja (Tiranë)
Delegat: Genc Xhafa (Kamëz)
Kartonë të verdhë: K. Basha 42’, Zholi 67’, Boni 88’ / Mesi 35’, Hoti 82’
Murlani-Luftëtari ishte ndeshja kryesore e javës së shtatë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e tretë, ndeshje kjo e zhvilluar sot pasdite në Kompleksin Sportiv të Kamzës. Të dyja skuadrat vinin në këtë përballje duke qënë bashkëkryesuese me nga 15 pikë secila. Një ndeshje që gjatë të gjithë javës së pragndeshjes u komentua shumë, pasi në të dy kampet respektive objektivi ishte vetëm fitorja tre pikëshe.
Këtë objektiv e realizoi skuadra gjirokastrike Luftëtari, e cila fitoi me rezultatin 1 me 0. Goli i fitores për Luftëtarin është shënuar në minutën e 84-t nga Skerdi Matushi. Sfidë kjo që u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, por që nisur nga kronika e lojës, rastet më të shumta për gol janë regjistruar në portën e Murlanit. Dhe, nëse nuk kishte gola të tjerë në portën murlanase, meritë për këtë ka portjeri Fabiol Rexhepi i cili shfaqi një formë të shkëlqyer sportive, ndërkohë që në një moment atij i erdhi në ndihmë edhe shtylla horizontale që pengoi topin e goditur mjeshtrisht nga Braho. Përfundimisht, 1 me 0 për Luftëtarin, që në një farë mënyre i kthen reston Murlanit, i cili në fazën e parë e mundi me rezultatin 2 me 1 falë golave të shënuar nga Djepaxhia dhe Kaçubela për Murlanin dhe Braho për gjirokastritët.
Me këtë fitore, Luftëtari merr i vetëm kryesimin e tabelës së klasifikimit, tashmë me 18 pikë duke lënë pas me tre pikë më pak Murlanin. Një humbje kjo që nuk e ka ulur aspak moralin në kampin e KF Murlani, pasi sipas drejtuesve të klubit, Murlani dhe murlanasit do të kthehen shumë shpejt tek fitorja. “Kthehemi me humbje nga takimi i sotëm. Po përsëri, lufta do të jetë dhe më e ashpër, Murlani do fryej më fort, nuk dorzohemi! Më kryesorja, që në radhët e ekiptit të MURLANIT morën pjes dhe disa lojtar të rinjë të U17 që shumë shpejt do jenë pjesë e ekipit të parë, këtu do të kenë të ardhmen. Ne jemi MURLANAS! AF Luftëtari-KF Murlani 1-0”, shkruhet në faqen zyrtare të KF Murlani pas kësaj ndeshje, çka tregon se e ardhmja e këtij klubi është e garanturar.
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Spartaku mundi Drinin me rezultatin 6-1, ndërsa Osumi mundi Kinostudion 5-2. Renditja pas javës së shtatë të Kategorisë së Tretë është kjo: AF Luftëtari 18 pikë, KF Murlani 15 pikë, Osumi dhe Spartaku nga 12 pikë, Kinostudio 9 dhe Drini 0 pikë.
Kujtojmë, që sipas rregullores të Federatës Shqiptare të Futbollit, vendi i parë dhe i dytë i kësaj kategorie ngjitet direkt në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar. Pozicion që për momentin e mbajnë Luftëtari dhe Murlani, por që për ta fituar përfundimisht këtë të drejtë duhet pritur zhvillimi i ndeshjeve edhe të tre javëve kampionat, javë këto që për Murlanin objektivi është vetëm fitorja.
Gaspër MARKU