Pasi ka kaluar me jo pak vështirësi turin e parë me atë kualifikim në çerekfinale përmes emocioneve të gjuajtjeve të penalltive, shorti i Kupës së Shqipërisë e vuri Vllazninë U-17 përballë ekipit Internacional të Tiranës.
Një kundërshtar, që në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri kuqeblu Edmond Doçi, e konsideronte shumë të fortë, edhe për faktin se Internacional është kryesues aktual i Kampionatit Kombëtar të Superiores U-17.
Por, realisht doli ndryshe, sepse 17 vjeçarët shkodranë arritën ta mundin pastër Internacionalin me rezultatin 3 me 0. Fitore kjo e arritur pikërisht në fushën sportive të Internacionalit, Peze- Helmes, e cila e kualifikon Vllazninë U-17 në turin gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë.
Golat që e çuan Vllazninë U-17 në gjysëmfinale u shënuan nga Aris Ara në minutën e 52-të, Gerald Kubazi në minutën e 67-të dhe Xhoel Hajdari në minutën e 68-të.
Tashmë gara bëhet edhe më e fortë, pasi bëhet fjalë për ballafaqimet gjysëmfinale. Por, në një farë mënyre, bazuar në atë që Vllaznia eleminoi në çerekfinale ekipin kryesues të kampionatit, hapësirat për të avancuar më tej drejt fitores së trofëeut shtohen edhe më shumë.