Kjo fundjavë ka shënuar startin edhe të futbollit të moshave për Kategorinë Superiore sipas grupmoshave përkatëse U-13, U-17 dhe U-19. KF Shkodra, konkuruese me tre ekipet e saj në të tre kategoritë, ka pasur një start tejet të mbarë duke regjistrua tre fitore, njëra më e bukur se tjetra.
Për Kategorinë Superiore U-13 është luajtur derbi shkodran, KF Shkodra-KF Vllaznia ku skuadra e KF Shkodra e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi ka fituar me rezultatin 2 me 1. Për Shkodrën, autor të golave janë Marku dhe Halili, të cilët shënuan nga një gol për secilen pjesë.
Me fitore e ka mbyllur ndeshjen edhe ekipi i 17vjeçarëve, i cili i drejtuar nga trajneri Arbion Kopliku ka mundur Shkëndinë e Tiranës me rezultatim 3 me 1. Shabaj, Hoxha me penallti dhe Bisha janë autorët e golave për KF Shkodra.
Fitorja e tretë radhazi në javën e parë të kampionatit për KF Shkodra vjen për kategorinë e 19 vjeçarëve, e cila nën drejtimin e trajnerit Rudi Piraniqi mundi Shkëndinë e Tiranës me rezultatin 2 me 1.
Starti me tre fitore që në javën e parë është një tregues se ky sezon për KF Shkodra pritet të jetë mjaft pozitiv, pse jo edhe me petkun e pretendentes.