Java e 28-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë Superiore, i 82-ti sipas radhës, starton sot me dy sfidat e para, Kukësi-Tirana dhe Partizani-Kastrioti. Që të dyja sfidat janë planifikuar të startojnë në orën 16.00, e para në “Elbasan Arena” dhe e dyta në “Air Albania”. Ballafaqime këto që vlejnë për të katër skuadrat, të cilat luftojnë për objektiva të ndryshme, mes të cilave ajo e Partizanit është për kreun e klasifikimit.
Më pas, të dielën, java e 28-të e Superiores vijon edhe me tre çiftet e tjera, ku dueli i parë që starton në orën 13.00 është Apolonia-Vllaznia. Një përballje mes dy skuadrave që kanë objektiva të ndryshme, vendasit për mundësinë e sigurimit të mbijetesës dhe kuqeblutë të dytët në renditje kërkojnë të kalojnë në krye.
Dy sfidat e tjera që mbyllin javën e 28-të, janë Skënderbeu-Teuta dhe Laçi-Bylis. Në Korçë përsëritet dueli i pesë ditëve më parë për Kupë, por këtë radhë për kampionat. Edhe këtu përpallje me objektiva të kundërta, vendasit për mbijetesë, por që janë finalistë të Kupës së Shqipërisë dhe miqtë nga Durrësi, kryesues aktual të kampionatit për të vijuar rrugën drejt titullit kampion.