Thursday, January 16, 2025

Futbolli shkodran dhe ai shqiptar në zi. Ndërron jetë në moshën 77 vjeçare legjenda Sabah Bizi!

Lexo

Futbolli shkodran dhe ai shqiptar është në zi. Një lajm i pak minutave më parë bën të ditur se ka ndërruar jetë në moshën 77 vjeçare legjenda e futbollit shqiptar, një futbollist i kalibrit ndërkombëtar, i cili përpos Shkodrës ku lindi dhe kontribuoi për shumë vite me Vllazninë e zemrës së tij, ka qënë edhe një figurat e spikatura të Partizanit dhe Kombëtares së Shqipërisë.
Fotoja që shoqëron shkrimin ka të fiksuar katër kollosët e futbollit shkodran dhe atij shqiptar,
Ramazan Rragamit, Medin Zhega, Sabah Bizi dhe Paulin Ndoja. Pas Dinit, Zanit, që prej ditës së sotme, këtij kuarteti fantastik të futbollit shkodran do t’i mungojë edhe Sabahu duke e lënë vetëm kolegun e tyre të portës Paulin Ndoja.
Periudha e viteve të fundit e mundoi jo pak me problemin e shikimit, por edhe pse në atë gjendje ai nuk mungonte të ishte aktiv në jetën e përditshme ku i shoqëruar nga familjarët e tij, ishte pjesë e eventeve të ndryshme sportive, duke shijuar respektin maksimal që të gjithë kishin për të.
Por, krahas shikimit, muajt e fundit pati dhe shqetësime të tjera anësore të shëndetit, të cilat e e rënduan gjendjen e tij duke mos mundur t’i bëjë ballë, dhe mesditën e së enjtes së 16 janatit 2025 mbylli sytë përgjithëmonë duke lënë në pikëllim familjen e tij të afërt, por në tërësi edhe familjen e madhe të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.
Bizi i famshëm, i nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, largohet fizikisht, por prapa ka lënë një karriere 17 vjeçare shumë të pasur sportive, mes të cilave, spikasin sidomos përformacat e tij brilante me ekipin kombëtar, ku për t’u veçuar është përballja e vitit 1967 me Gjermaninë, ndeshje kjo e mbyllur në barazim 0-0, ku edhe pse ishte vetëm 19 vjeç do të shkëlqente në duelin me të madhin Franc Bekembauer. Një duel, që në fund të ndeshjes kapiteni gjerman do ta vlerësonte me superlativa mesfushorin shkodran të kombëtares, Sabah Bizi.
Pas largimit nga fusha e blertë si futbollist, Sabah Bizi do të vijonte punën si trajner i Veleçikut të Koplikut, por edhe i Vllaznisë për një periudhë kohore. Ndërkohë, që për disa vite ishte edhe në rolin e zyrtarit të Klubit të Futbollit Vllaznia.
Traditën e Sabahut në familjen Bizi do ta vazhdonte më së miri edhe djali i tij Brikeno Bizi, fillimisht si futbollist i suksesshëm i Vllaznisë dhe më pas edhe si trajner, por edhe nipat e tij, të cilët janë aktualisht në aktivitet si futbollist me ekipet e qarkut Shkodër.
Gjatë karrieres së tij sportive, Sabah Bizi është shpallur tre here kampion pikërisht në sezonet 1971-72, 1973-74 dhe 1977-78, ndërkohë që do të fitonte edhe tre Kupa të tjera të Republikës, pikërisht në sezonet 1971-72, 1978-79 dhe 1980-1981. Këtyre trofeve i shtohen edhe dy tituj kampion dhe një Kupë Republike vitet 1968- 1971 me Partizanin gjatë kohës që ai kreu shërbimin ushtarak.

Portali Veriu Sport i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Bizi për ndarjen e njeriut të tyre të afërt dhe komunitetit të futbollit për humbjen e kësaj figure të përmasave të mëdha futbollistike.
Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img