Gara për kreun është e fortë jo vetëm në renditjen e skuadrave pas 20 javëve në Abissnet Superiore, por edhe në renditjen e golashënuesve, ku Bekim Balaj i Vllaznisë kryeson me dhjetë gola, i ndjekur nga Baton Zabërgja i Dinamos me 9 e pas tij Itodo po i Dinamos, me tetë. Jo rastësisht dy skuadrat që kanë golashënuesit më të mirë të kampionatit janë ato që kanë shënuar edhe numrin më të madh të golave, nga 31 secila. Shkodrani festoi në mënyrën më të mirë 34-vjetorin e lindjes, me dy gola kundër Tiranës, që solli përmbysjen e rezultatit në favor të kuqebluve.
Dhe është pikërisht Tirana viktima e tij e preferuar, pasi nga dhjetë gola gjithsej gjashtë i ka shënuar në tri ndeshje kundër bardhebluve. Balaj ka shënuar në shtatë ndeshje për Vllazninë, në katër raste ka qenë autor i golit të parë për kuqeblutë. Tri herë ka shënuar dygolësha dhe në të tre rastet kanë qenë kundër Tiranës, ashtu si dhe dy penalltitë e shndërruara në gol deri tani. Pas Balajt, golashënuesi më i mirë i Vllaznisë është Dodaj me pesë gola, çka konfirmon rolin e pazëvendësueshëm të kapitenit 34-vjeçar.
Rol të tillë ka edhe Zabërgja te Dinamo, por jo për diferencën e golave me të tjerët, pas Itodo ka vetëm një më pak. 23-vjeçari ka një shpërndarje në tetë ndeshje të nëntë golave të tij, dhe në shtatë raste ka qenë autor i golit të parë për blutë. Zabërgja, që nuk ka gjuajtur asnjë penallti, vetëm në një ndeshje ka shënuar dygolësh, në fitoren 5-0 kundër Elbasanit, kundërshtari i ardhshëm në kampionat.
Lojtari që falë paraqitjes me Dinamon ka fituar thirrjen nga Kombëtarja e Kosovës, tri herë ka shënuar në dy ndeshje radhazi, ndërkohë që Balaj ka pasur një herë një seri me tri ndeshje radhazi me gol. Dy lojtarë të ndryshëm në interpretimin e lojës sulmuese, por që kanë të përbashkët golin, që i bën dy rivalë të denjë për njëri-tjerin, ashtu siç janë edhe dy skuadrat e secilit.