Për peshëngritësin shkodran, Erkand Qerimaj, pjesëmarrja në Kampionatin Europian zhvilluar dje në Moldavi, ishte me jo pak sakrifica duke pasë parasysh problemet e dëmtimit që e shoqëruan atë gjatë garës.
Megithatë, Qerimaj, konkurues në peshën deri në 81 kilogram, ishte i pari në Baterinë B dhe i teti në stilin e shkëputjes me 150 kilogram, i pesti në stilin e shtytjes me 183 kilogram dhe i katërti në dygarësh me 333 kilogram duke arritur një tjetër rezultat pozitiv.
Në një postim pas përfundimit të aktivitetit në profilin e tij të rrjetit social, Qerimaj, shprehet i kënaqur me paraqitjen e tij.
“Gara ime në Kampionatin Europian u finalizua me rënditjen time në vendin e 4! Jam i gëzuar me rezultatin duke pasur parasysh që periudhën në të cilën jam stërvitur isha me dhimbje në dorë dhe në tendina prej ngarkesave të jashtëzakonshme! Me shumë përkushtim realizova ngritjen e 150 Kg në stilin e Shkeputjes, 183 Kg në stilin e Shtytjes, dhe Dygaresh 333 Kg duke u renditur në vendin e katërt në Europë. Tentova 154 në Shkeputje dhe 186 Shtytje duke tentuar për zonën e medaljeve…por dhimbja e dorës nuk më lejoi që të punoja 100%. Falenderim nga zemra për familjen time dhe për gjithë dashamirësit që më qëndrojnë afër dhe më japin forcë për tu përfaqësuar me krenari dhe dinjitet në Gara Ndërkombetare”.