Tuesday, December 2, 2025

GAZETARIA SPORTIVE, ART QË MBETET TRASHËGIMI – Nga Ramazan Çeka. Në kujtim e nderim të penave që frymëzuan sportin!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Shkodra, qyteti që i ka dhënë Shqipërisë legjenda sporti, talente të pashtershme dhe dashuri të pamatë për futbollin e për sportin në përgjithësi, në një ditë të veçantë u bë skenë e një ceremonie të mbushur me ndjenja, mirënjohje e solemnitet. Stadiumi “Loro Boriçi”, ky tempull ku jehona e golave, brohoritjet e tifozëve dhe dhimbja e humbjeve kanë gdhendur historinë e qytetit, u përfshi nga një atmosferë krejt ndryshe: nga një homazh i madhërishëm për ata që me penë e mikrofon e bënë sportin jo vetëm ngjarje, por edhe rrëfim, kujtim, art.

Muret e stadiumit sikur flisnin. Në heshtjen e tyre ndiheshe sikur ato ruanin kujtimet e çdo ndeshjeje të dikurshme, çdo heroi të fushës, çdo pasioni tifozësh. Por atë ditë, ato mure ruanin një tjetër histori, historinë e gazetarëve sportivë që i dhanë zë, ngjyrë e jetë çdo fitoreje e humbjeje, duke e kthyer sportin në një përjetim të përbashkët.

Në këtë takim të mbushur me dritë e emocion, u mblodhën bashkë familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të figurave më të njohura të sportit dhe gazetarisë sportive. Çdo fytyrë bartte një shikim të qetë, të mbushur me respekt, buzëqeshje të ngrohta, por edhe një melankoli të ëmbël që e sjell vetëm kujtimi i atyre që nuk janë më. Në çastin kur Kryetari i Qarkut, z. Edmond Ndou, mori fjalën, një heshtje solemne pushtoi sallën. Në fjalinë e parë të tij u kuptua se kjo nuk ishte një ditë e zakonshme: “Gazetaria sportive”, tha ai, nuk është thjesht raportim. Është art, është pasion, është mision. Ajo është ura që lidh brezat, është fryma që bën të pavdekshme emocionet e sportit.

Fjalët e tij ranë si jehonë e largët, duke zgjuar kujtime e emocione. Në atë moment, u ndje sikur prania e atyre gazetarëve të shquar që nuk jetojnë më, ishte aty, e padukshme por e fortë, e pranishme në çdo duartrokitje, në çdo mendim që endet në hapësirë.

Këshilli i Qarkut Shkodër nderoi me çertifikata mirënjohjeje tre gazetarë të shquar, që prej dekadash kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë sportive shqiptare: Ymer Stërniqi, Ramadan Bigza dhe Meidan Zhivani. Ata mbeten të gjallë në zemrat e sportdashësve, sepse veprat, kronikat dhe zëri i tyre janë shndërruar në trashëgimi të përjetshme. Secili prej tyre ishte një kolonë që mbajti peshën e një kohe, një dëshmitar i gjallë i një epoke ku sporti jetonte përmes fjalës së shkruar e përmes mikrofonit të ndezur.

Por homazhi nuk ishte vetëm për ata që nuk janë më. Në të njëjtën ditë, u vlerësuan edhe dy gazetarë që vazhdojnë të jenë sot frymëzim për brezat e rinj: Namik Mehmeti dhe Gaspër Marku. Për dekada me radhë, ata kanë qëndruar në ballë të raportimit, kanë shkruar me dashuri, kanë folur me profesionalizëm dhe integritet, duke dëshmuar se gazetaria sportive është një rrugëtim i pandërprerë, një zjarr që nuk shuhet, por përcillet brez pas brezi.

Atmosfera ishte e mbushur me solemnitet të thellë. Nuk ishte një ceremoni e zakonshme: ishte një shfaqje ndjenjash, një ndërthurje e kujtimeve me respektin. Çdo duartrokitje ishte më shumë se një gjest, ishte një rrëfim i heshtur. Çdo buzëqeshje mbante brenda një histori, çdo pauzë e fjalës ishte si një lutje. Diskutimet mes të pranishmëve sillnin jehona nga vitet e shkuara: nga kronikat e lexuara në gazetat e mëngjesit, nga zërat në radio që mbushnin shtëpitë e qytetarëve, nga shkrimet që bëheshin temë bisede në kafetë e Shkodrës. Ishte një udhëtim pas në kohë, një rikthim tek rrënjët.

Emocionet nuk i fshihte askush. Familjarët e gazetarëve që nuk jetojnë më e përjetuan këtë mbrëmje si një kujtim të gjallë për të dashurit e tyre. Kolegët, miqtë e bashkëpunëtorët i panë ata si shembuj të përjetshëm që nuk humbin asnjëherë vlerën. Në fjalën e tij, z. Gaspër Marku e shprehu me thjeshtësi, por me thellësi: “Është padyshim emocion i shumtë. Ne kemi përjetuar shumë emocione në terren, duke përcjellë kronikat tona dhe duke pasqyruar figura që sot janë prezent këtu. Por kur puna dhe djersa e viteve shpërblehet, ky emocion bëhet edhe më i këndshëm. Dua të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë nderim, Klubin e Futbollit “Vllaznia”, me president z. Alban Xhaferi, si dhe Këshillin e Qarkut Shkodër me drejtuesin e tij pasionant, tifozin e madh z. Edmond Ndou. Media sportive shkodrane mbetet një ndër më të spikaturat në Shqipëri, dhe kjo është meritë e punës e përkushtimit të shumë brezave.”

Në shenjë nderimi e respekti, Presidenti i Klubit të Futbollit “Vllaznia” dorëzoi fanella të ekipit si dhuratë simbolike. Ishte një gjest i thjeshtë, por i madh, sepse fanella e “Vllaznisë” është më shumë se një veshje: është flamur, është identitet, është dashuri.

Në fjalën e tij, Presidenti Alban Xhaferi theksoi: “Këto personalitete, me penën dhe mikrofonin e tyre, kanë kontribuar që sporti, e sidomos futbolli, të pasqyrohet me profesionalizëm dhe dashuri për të vërtetën. Si President i Vllaznisë ndjej krenari dhe mirënjohje për punën e tyre. Falë tyre, breza të tërë tifozësh e sportdashësish kanë ndjekur skuadrën tonë dhe sportin shqiptar me më shumë pasion.”

Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Qyteza Shala, shtoi një tjetër këndvështrim: “Nëse sportistët e kanë të kufizuar aktivitetin e tyre nga mosha, gazetarët e vazhdojnë shumë më gjatë. Ata shkruajnë, japin mendime, hapin biseda që ndihmojnë zhvillimin, që ndihmojnë të ardhmen. Roli i tyre nuk shuhet kurrë.”

Në fund të ceremonisë, gazetari i njohur dhe moderatori i aktivitetit, z. Bepin Kolvataj, përmbylli me fjalë të mbushura me domethënie: “Kjo iniciativë është një shenjë vlerësimi për kontributin e pazëvendësueshëm të gazetarëve sportivë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sportive të Shkodrës, duke i dhënë zë një qyteti që ka qenë dhe mbetet zemra e sportit shqiptar.”

Emrat e nderuar të kësaj mbrëmjeje, qoftë ata që nuk jetojnë më, qoftë ata që ende frymëzojnë sot, janë tashmë pjesë e pandashme e historisë së sportit shkodran dhe shqiptar. Por mbi të gjitha, ata janë dëshmi e gjallë se dashuria për sportin, kur shoqërohet me përkushtim e integritet, kthehet në trashëgimi dhe frymëzim për breza të tërë.

Kjo ceremoni dëshmoi se gazetaria sportive nuk është vetëm profesion. Ajo është identitet, është frymë, është monument i gjallë. Është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen dhe e çon drejt së ardhmes. Ajo vazhdon të pulsojë edhe kur stadiumet boshatisen, kur jehona e ndeshjeve shuhet, sepse pas çdo historie të madhe sportive fshihet gjithmonë një zë, një zë që nuk shuhet kurrë.

Ramazan Çeka

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img