Skënderbeu ra sot zyrtarisht nga Superiorja pas 13 vitesh. Trajneri i ekipit juglindor, Skënder Gega foli për “Gol pas Goli” në Supersport pas barazimit 1-1 me Dinamon në Kamzë, rezultat që rikthen korçarët në Kategorinë e Parë.
“Ndjej keqardhje, sepse meritonim të vazhdonim garën, por ka kohë që kjo është nisur për të mbaruar. Ka shumë faktorë, nuk dua t’u përmend as emrin. Për pesë javë na kanë rënë këto arbitra, edhe në mes të Korçës. Urime Egnatias dhe Kastriotit, shpresoj që Skënderbeu dhe Dinamo të ringrihen.
Penalltia e munguar te rasti i Pusit? Tregojani Jorgjit, jo mua. Një ordiner! Do mbroj ekipin sa të jem pjesë e Skënderbeut. Ishte 100% penallti. Ai (Jorgji) e ka bërë edhe në Kukës, iu gris kartoni.
Asgjë nuk kthejmë pas, e paguan ai qytet dhe ekipi. Ndjej keqardhje edhe për diçka tjetër: kush mban përgjegjësi që fundoset një ekip me tradita? Ata bëjnë dush në shtëpi, më pas i sheh të Barcelonë apo Madrid. Kjo është Shqipëria, më vjen keq që jam pjesë e këtij mizerabiliteti.
E respektoj Dinamon, më vjen keq. Më ka bërë përshtypje që në pesë ndeshje kemi pasur dy arbitra të njëjtë. Erdhi nga Kukësi Meta, ku ishte arbitër i katërt, udhëtoi gjithë natën, dhe drejtoi në Korçë, thua se nuk ka arbitra të tjerë. Ndihem i zhgënjyer dhe i tradhtuar.
Si ka mundësi që nuk shkoi te VAR-i? Nuk pranoi të shkonte ta shihte në VAR. Kështu ndodhi edhe në Elbasan përballë Egnatias, por jeta vazhdon”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.