Përmes një lidhje me “Skype”, me emisionin sportiv, “Panorama TV”, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Tiranës ka komentuar klasiken që do të zhvillohet nesër në Shkodër. Ai deklaroi se do të jetë një ndeshje e madhe dhe të gjithë mezi po e presin.
“Ndeshja me Tiranën është e veçantë, ka nisur të ndjehet atmosfera në Shkodër. Të gjithë tifozët e presin medoemos këtë sfidë, historia ka treguar se pavarësisht renditjeve ku ndodhen ekipet përkatëse, gjithmonë kanë dhuruar emocione të bukura dhe spektakël për të shijuar.
Tifozët në stadium dhe ndjekësit nga shtëpitë e tyre do të shohin një ndeshje shumë të bukur. Është ndeshje e vështirë, Tirana është më komode, Vllaznia pak më e presionuar, por nuk ka një ekip që mund ta favorizoj.
Vllaznia ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, por kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme për vazhdimësinë e saj. Trajneri i ri ka sjell një frymë të re tek Vllaznia, ka pasur një impakt pozitiv tek ndeshjet e ekipit.
Është thikë me dy presa kur ndërrohet trajneri, po mbaj shpresat që nga ndeshja në ndeshje Vllaznia do të rritet. Nga humbja më e penalizuar do të ishte Vllaznia. Tifoz jam me Vllazninë, por Tirana do jetë gjithmonë shtëpia ime e dytë.
Është një Klasike që nuk mund t’i veçoj skuadrat, Tirana ka shumë tifozë që e ndjekin, ndërsa Shkodra jeton me futbollin dhe e përjeton i gjithë qyteti. Shpresoj të ketë sa më shumë tifozë. Ekipet janë aty aty me kualitetet e lojtarëve, ai që do të bëjë maksimumin do të fitojë këtë klasike. Tirana është më afër arritjes së objektivave. Shpresoj të fitojë Vllaznia nesër”, deklaroi is kapiteni kuqeblu, futbollisti që ka luajtur me të dyja skuadrat.