Skënderbeu nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Egnatian në transfertë. Pas këtij barazimi tekniku i skuadrës korçare, Ernest Gjoka, deklaroi për mikrofonin e “RTSH”:
“Ky është kampionati. Personalisht mendoj se kisha kohë pa parë një kampionat të tillë, ku gara do të jetë e luftuar deri në javën e fundit. U munduam të bëjmë më të mirën, nuk arritëm dot te fitorja, kishim rastet tona, sigurisht edhe kundërshtari kishte raste. Me pak fat mund të kishim marrë edhe 3 pikët.
Ishte e përgatitur në disa mënyra ndeshja. Nuk bën asnjë skuadër vetëm presion, sepse është vetëvrasje. Kishte momente bënim presion, ku merrnim frymëmarrje dhe fillonim përsëri sulmet e shpejta. Kundërshtari është një skuadër cilësore që e mban topin mirë. Interpretimi ishte ai që kishim kërkuar dhe kemi bërë.
Në disa momente duhet të kishim bërë me mirë, donim me patjetër që të shkonim drejt fitores. Kur diçka kërkon me patjetër, ka momente që prishen balancat”, u shpreh Gjoka.