Vllaznia nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Erdenis Gurishta për ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës, takim ky që do të luhet pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16:45.
Natyrisht që ky është një lajm aspak i mirë për teknikun Brdariç, pasi për hirë të së vertetes kapiteni mendohej se do të rikthehej këtë javë në pozicionion e tij natyral të mbrojtësit të djathtë.
Një gjë e tillë është mësuar mesditën e sotme, kur në seancën stervitore që skuadra kuqeblu po zhvillonte në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, në një moment gjatë konsumimit të ushtrimeve në grup, Gurishta ka ndjerë dhimbje duke alarmuar kampin shkodran.
Konsulta me stafin mjekësor, i cili i është gjendur menjëherë pranë ka arritur në përfundim se kapiteni duhej ta ndërpriste seancën stervitore përpara kohe. Që do të se, bazuar kjo edhe nga deklaratat e stafit mjekësor, por edhe të vetë futbollistit, Gurishta nuk është i gatshëm për ndeshjen me Tiranën.
Një aktivizim tij i parakohshëm mund të ndikojë në një përkeqësim më tepër të gjendjes së tij duke vonuar kësisoj rikhimin e tij në fushë. Në këtë mënyrë, për ditët në vijim, Gurishta duhet të vazhdojë terapinë rikuperuese edhe për disa ditë të tjera derisa stafi mjekësor të vendosë për aktivizimin e tij.
Duke përfshirë edhe dëmtimet e Da Silvës dhe Jonuzit, me mungesën edhe të kapitenit Gurishta, shkon në tre numri i titullarëve kuqeblu që nuk do t’i ketë në dispozicion tekniku Thomas Brdariç.