Elbasani e ka mbyllur vitin me një fitore, duke i sjellë trajnerit Ivan Gvozdenoviç tre pikët e para që kur ka marrë drejtimin e skuadrës verdheblu. Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic ka folur pas mbarimit të ndeshjes.
“Sot ishim të përqendruar vetëm për pikët, se kishim nevojë për to. Kjo ishte e para. Nga fillimi Skënderbeu ishte skuadra më e mirë, 20 minuta bënë lojë më mirë. Pas minutës së 20, ne ishim skuadra më dominuese, më e përgatitur. Ne e dinim në çdo sekondë e minutë çfarë do të bëjmë në fushë, ishim përgatitur me shumë majtas, se Kosta nuk ishte natyral dhe Prençi kishte probleme. Ata luajnë me këmbë të djathtë, gjithmonë kanë vonesë kur vjen topi dhe andej ishim përqendruar. Me Lleshin dhe Tsague bëmë presion lart. Fusha ishte e vështirë, unë e dija që nëse shënonim, do të ishte e vështirë për Skënderbeun. Ishim shumë efikas në sulm, mbrapa ishim në ekuilibër dhe të përqendruar. Jam shumë i kënaqur patjetër, por ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne.
E thashë edhe dje në intervistë për “Panorama Sport” që sot ishte një plus për ne, se unë e di skuadrën e Skënderbeut, ia di pikat e forta dhe të dobëtat, ndaj ishte një plus për ne sot.
Nuk ishim mirë ndaj Vllaznisë dhe Partizanit në fazën mbrojtëse se vonuam shumë. Në fazën ofensive ishte mirë, ishte aksion si bëri Arsenali kur erdhi goli nga goditja e këndit. Çunat tregojnë se punohet për këto.