Sezoni i ri futbollistik 2022-2023 e gjen Vllazninë me sponsor të ri. Pas negociatave mes palëve, është arritur në përfundim që “Hospital one” të jetë sponsori i kuqebluve. Prezantimi i sponsorit të ri do të bëhet përmes një ceremonie zyrtare në mjesidet e stadiumit “Loro Boriçi”, ku së bashku me sponsorin do të prezantohen edhe uniformat e reja, në të cilat do të jetë edhe logoja e “Hospital one”, me të cilën skuadra kuqeblu do të luajë në kampionatin e ri.
“KF Vllaznia bën të ditur se ditën e sotme, në ora 18.30 në sallën e konferencave të shtypit të stadiumit “Loro Boriçi”, do të bëhet ceremonia e prezantimit të Sponsorit Gjeneral të klubit tonë për sezonin futbollistik 2022-2023. Po ashtu, do të prezantojmë edhe uniformat e reja të ekipit tonë për sezonin e ri. Ftojmë të gjitha mediat të jenë të pranishme në këtë ceremoni.
Ndërkohë në orën 19.00, në ambjentet e stadiumit do të organizohet edhe një koktej ku do të jenë të ftuar shumë personalitete të fushave të ndryshme, por edhe të futbollit, veteranë, trajnerë e sportistë.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KF Vllaznia.