Klubi vazhdon të jetë i heshtur para tifozëve, asnjë fjalë për trajnerin që ka nisur punën
Dinamo do të ndeshet me Partizanin me rinisjen e kampionatit të Abissnet Superiore, më 12 shtator, dhe në stol do të ketë trajnerin e tretë në vetëm katër javë, Ilir Dajën, pasi e ka nisur me Dritan Mehmetin, dhe e vazhdoi një ndeshje me trajnerin e e përkohshëm Erion Xhafa.
Thashethemet për Ilir Dajën rezultuan të vërteta kur ish-lojtari dhe trajneri i bluve u rikthye në klubin e tij, e megjithatë fytyra e Dajës ende nuk është shfaqur para publikut dhe tifozëve. Edhe pse ai stërvit skuadrën prej disa ditësh, nuk ka prezantim e madje as njoftim nga ana e klubit, krejt ndryshe nga sa u veprua me njoftimin për shkarkimin e Mehmet, menjëherë pas humbjes me Bylisin.
Koha e mjaftueshme për ta marrë gjithçka pa nxituar për shkak të ndërprerjes së kampionatit nuk vlen si justifikim, pasi e njëjta gjë mund të aplikohej edhe për Mehmetin, madje është praktikë e zakonshme në rastet e shkarkimit të trajnerëve kur ka pauzë të kampionateve. Në prag të një prej ndeshjeve më të ndjera nga ana e tifozëve, klubi shfaqet hermetik para tifozëve, duke e ulur sërish komunimin me ta në nivelin e thashethemeve dhe zërave jozyrtarë.